Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka dalë në konferencën për shtyp në prag të sfidës vendimtare ndaj Bjellorusisë, ku kuqezinjtë do të kërkojnë rezultatin që u nevojitet për të siguruar objektivin në Grupin C1.
Tekniku italian foli për gjendjen e skuadrës, situatën e disa futbollistëve dhe vështirësinë e përballjes që do të zhvillohet në Budapest të Hungarisë, pa praninë e tifozëve.
I pyetur për gjendjen e Ramadanit dhe Muçit, Maran theksoi se nuk është i shqetësuar, pasi ka alternativa të tjera në dispozicion. Ai bëri të ditur se Muçi nuk ishte stërvitur në seancën e fundit dhe gjendja e tij do të vlerësohet sërish ditën e nesërme.
“Ramadani dhe Muçi? I shqetësuar jo, sepse kam në dispozicion disa lojtarë. Jemi kombëtare dhe djemtë që janë këtu janë në lartësinë e duhur për të bërë mirë. Do të jetë mundësia që lojtarë të tjerë të jenë të vlefshëm. Të gjithë duan të japin diçka për këtë fanellë dhe kjo do të jetë një mundësi për ta. Muçi nuk u stërvit sot, do ta vlerësojmë nesër dhe do të shohim si do të jetë”, deklaroi trajneri.
Maran vlerësoi gjithashtu kundërshtarin, duke nënvizuar se Bjellorusia ka treguar formë të mirë dhe se përballja nuk do të jetë aspak e lehtë. Sipas tij, në 12 ndeshjet e fundit, bjellorusët kanë humbur vetëm një herë, pikërisht ndaj Shqipërisë.
“Përballemi me një kundërshtar ndaj të cilit ndoshta kemi vuajtur më shumë në këto ndeshje. Në 12 takimet e fundit, ata kanë humbur vetëm ndeshjen me ne. Kjo tregon se kemi përballë një ekip që është në gjendje të mirë dhe do të jetë e vështirë ta zhvillojmë ndeshjen sipas mënyrës sonë. Megjithatë, jemi gati dhe të vendosur. Kemi krijuar një identitet të rëndësishëm dhe lojtarët po japin maksimumin për të siguruar rezultatin që na nevojitet”, u shpreh Maran.
Trajneri italian theksoi se Shqipëria nuk do të hyjë në fushë për të bërë llogari, por me synimin për të dhënë gjithçka dhe për të qenë më e mirë se në ndeshjen e kaluar.
“Nuk bëjmë asnjë llogari, nuk jemi një ekip që mund të bëjë llogari. Nuk do të shihni një skuadër që kursehet. Duhet të zbresim në fushë me maksimumin tonë. Janë djem që, nëse kanë këtë mentalitet, japin edhe më shumë. Objektivi ynë është të jemi më të mirë se herën e fundit dhe të marrim rezultatin, pa bërë asnjë lloj llogarie”.
© SYRI.net
Fisnik Asllani: Jemi të zhgënjyer me barazimin, ndaj Irlandës synojmë vetëm fitoren
Kurti reagon pas barazimit me Izraelin: Kartoni i kuq na pengoi të merrnim fitoren
Foda analizon barazimin me Izraelin: Na mungoi goli, Muslija është një mungesë e rëndësishmeBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: