Elegancë dhe stil dramatik, Florence Pugh bën një paraqitje të veçantë në tapetin e kuq

Aktorja britanike, Florence Pugh, ka tërhequr vëmendjen me zgjedhjen e saj të fundit të modës, gjatë një shfaqjeje të serialit East of Eden, të mbajtur të premten në New York.
30-vjeçarja u paraqit në tapetin e kuq me një fustan të zi prej sateni, të karakterizuar nga mëngë të fryra dhe voluminoze, të cilat ishin elementi më i spikatur i veshjes.
Fustani me kopsa në pjesën e përparme ndërthurte elegancën klasike me një stil dramatik, ndërsa aktorja e kompletoi dukjen me këpucë të larta me platformë.

Ngjyra e zezë dhe materiali prej sateni i jepnin veshjes një pamje elegante, ndërsa volumi i theksuar në pjesën e supeve krijonte një siluetë të veçantë.
Paraqitja e saj erdhi në kuadër të promovimit të projektit të ri të Netflix, East of Eden, në të cilin Pugh interpreton personazhin kryesor, Cathy Ames, dhe është gjithashtu producente ekzekutive.

Seriali me shtatë episode është një adaptim i romanit të njohur të John Steinbeck, të botuar në vitin 1952, ndërsa skenari është shkruar nga Zoe Kazan.
Florence ka qenë aktive gjatë javëve të fundit në promovimin e projektit, duke ndarë me ndjekësit e saj në Instagram materiale nga seriali. /Telegrafi/















































