E shtunë, 14 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
“Pa mua jeni një m*t!” Rama tërbohet në Asamble, fyen deputetët dhe përplaset me Majkon
Lajme

“Pa mua jeni një m*t!” Rama tërbohet në Asamble, fyen deputetët dhe përplaset me Majkon

“Ju keni vetëm logon, votat i kam unë. Jam më i madh se partia“

Deputeti ia plas në sy kryeministrit: Tiranën e kemi humbur!

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, e zhvilluar këtë të shtunë me dyer të mbyllura, duket se është shoqëruar me debate të forta dhe përplasje që shkojnë përtej mesazheve publike të përcjella pas përfundimit të saj. Kryeministri Edi Rama raportohet se ka mbajtur një fjalim me tone tejet të ashpra, duke kritikuar deputetët dhe drejtuesit socialistë për qëndrimin e tyre gjatë periudhës së protestave dhe presionit politik ndaj qeverisë.

Gjatë diskutimeve, Rama ka shprehur hapur pakënaqësinë për atë që e konsideron si tërheqje të deputetëve në një moment kur Partia Socialiste dhe qeveria po përballeshin me një situatë të vështirë politike.

Një prej pyetjeve që, sipas personave të pranishëm, ai ka përsëritur gjatë mbledhjes ishte:

“Ku ishit ju kur Tirana u dogj?”

Kryeministri mësohet t’u jetë drejtuar socialistëve me akuza se e kishin lënë të vetëm përballë situatës, duke menduar se karriera e tij politike kishte marrë fund.

“Më latë vetëm, menduat se mbarova!”, mësohet të ketë deklaruar Rama.

Ai ka vijuar me kritika edhe më të drejtpërdrejta ndaj deputetëve, duke i akuzuar se ishin zhdukur në momentin kur mendonin se pushteti i tij po merrte fund.

“U zhdukët sepse menduat: iku ky…”

Pakënaqësia e kryeministrit është shtrirë edhe te sjellja e socialistëve në rrjetet sociale. Rama ka shprehur irritimin për faktin se, sipas tij, disa prej tyre kënaqeshin kur në platformat online publikoheshin sulme dhe komente fyese ndaj drejtuesve të Partisë Socialiste.

“Ju bëhet qejfi kur në Instagram dhe Facebook shahet Taulant Balla”, mësohet të ketë thënë ai.

“Ju keni vetëm logon, votat i kam unë”, Rama përplaset me deputetët

Një prej momenteve më të tensionuara të mbledhjes ka ardhur gjatë diskutimit për protestat dhe marrëdhënien e deputetëve me elektoratin socialist.

Rama ka kundërshtuar idenë se protestat ishin të drejtuara vetëm ndaj tij, duke pretenduar se pakënaqësia qytetare ishte adresuar ndaj të gjithë Partisë Socialiste dhe përfaqësuesve të saj.

“Nuk protestojnë kundër meje, por kundër jush. Nuk duan PS!”, mësohet t’u jetë drejtuar ai deputetëve.

Por deklarata më e rëndë ka qenë ajo që lidhet drejtpërdrejt me raportin e tij me partinë dhe pretendimin se pesha elektorale e PS-së lidhet kryesisht me figurën e tij.

“Ju keni vetëm logon, votat i kam unë. Jam më i madh se partia, pa mua jeni një m*t!”

Sipas rrëfimeve nga mbledhja, kjo deklaratë është pritur në heshtje nga të pranishmit, ndërsa një pjesë e deputetëve nuk kanë reaguar ndaj fjalorit të përdorur nga kryeministri.

Në anën tjetër, Rama ka veçuar disa prej drejtuesve socialistë, duke i përmendur në terma pozitivë gjatë fjalës së tij. Mes tyre kanë qenë Taulant Balla, Belinda Balluku, Niko Peleshi, Albana Koçiu dhe Ervin Demo.

Vëmendje të veçantë ka marrë vlerësimi për Albana Koçiun, të cilën Rama e ka prezantuar si një figurë të rëndësishme për drejtimin politik të kryeqytetit.

“Albana është kryetarja që Tirana ka nevojë sot.”

Në përfundim të mbledhjes u bë publik edhe pozicionimi i Albana Koçiut dhe Ervin Demos në drejtimin e strukturave socialiste të Tiranës, ndërsa Ogerta Manastirliu nuk do të vijojë më në këtë rol.

Rama vendos rregullat për daljet publike: “S’do tregoni asgjë çfarë u fol këtu”

Një tjetër çështje e diskutuar gjatë Asamblesë ka qenë mënyra se si do të komunikohej publikisht për atë që ndodhi brenda sallës.

Rama mësohet t’u ketë kërkuar pjesëmarrësve që diskutimet dhe debatet e brendshme të mos bëheshin publike, duke u dhënë udhëzime të qarta për mesazhet që duhej të përcillnin pas përfundimit të mbledhjes.

“Kur të dilni nga kjo mbledhje, s’do tregoni asgjë çfarë u fol këtu”, mësohet të ketë deklaruar kryeministri.

Ai ka përcaktuar edhe linjën e komunikimit që duhej të ndiqej në deklaratat për mediat, duke kërkuar që vëmendja të përqendrohej te organizimi i partisë dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore.

“Do thoni vetëm se këtu ndezëm motorët për zgjedhjet bashkiake, se u fol për forcën e PS-së dhe për rrugën që do ta çojë Shqipërinë në Bashkimin Europian”.

Pas përfundimit të Asamblesë, edhe deklaratat publike të përfaqësuesve socialistë u përqendruan te organizimi i brendshëm, forcimi i strukturave dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Ultimatumi për Elisa Spiropalin: “Nuk shkel më në asnjë mbledhje Asambleje”

Në diskutimet e zhvilluara me dyer të mbyllura është trajtuar edhe pozicioni i Elisa Spiropalit brenda strukturave të Partisë Socialiste.

Sipas informacioneve nga mbledhja, Rama ka kërkuar që ajo të mos jetë më pjesë e takimeve të Asamblesë Kombëtare, duke bërë dallimin mes anëtarësisë në parti dhe pjesëmarrjes në këtë forum drejtues.

“Elisa nga sot nuk shkel më në asnjë mbledhje Asambleje. Është vetëm anëtare e partisë, por kurrë në Asamble”, mësohet të ketë qenë porosia e kryeministrit.

Përplasja me Pandeli Majkon: “Tiranën e kemi të humbur”

Një nga episodet më të forta të mbledhjes raportohet se ka qenë përplasja mes Edi Ramës dhe Pandeli Majkos.

Pas një debati ku kryeministri mësohet t’i jetë drejtuar ish-kryeministrit socialist me tone fyese, Majko është ngritur për të marrë fjalën dhe për të shprehur hapur shqetësimin për situatën politike në kryeqytet.

Ndryshe nga mesazhet optimiste që zakonisht përcillen nga drejtuesit e partisë, Majko ka paralajmëruar për humbjen e mundshme të Tiranës në zgjedhjet vendore.

“Dua të them diçka që ju s’keni asnjëri guxim ta thoni, por të gjithë e mendoni: Tiranën e kemi të humbur. Nëse bëhen zgjedhje sot, ne nuk fitojmë!”, mësohet të ketë deklaruar ai.

Ndërhyrja e Majkos, sipas të njëjtave rrëfime, është ndërprerë nga Rama, i cili nuk e ka lejuar ta vijojë më tej fjalën.

Një prej deputetëve të pranishëm e ka përshkruar këtë mbledhje si një nga më të turpshmet në historinë e Asamblesë së Partisë Socialiste.

Rama mohon se mbahet peng nga Balluku: “Ministrat i zgjedh vetë”

Një tjetër temë që ka shkaktuar diskutime gjatë mbledhjes ka qenë edhe ndikimi i Belinda Ballukut në vendimmarrjen e kryeministrit, veçanërisht në lidhje me emërimet në qeveri dhe administratën publike.

Rama ka reaguar ndaj pretendimeve se Balluku ushtron presion mbi të dhe se mund të ndikojë në vendimet e tij për përzgjedhjen e ministrave apo drejtuesve të institucioneve.

Kryeministri i ka cilësuar këto pretendime si një version të sajuar, duke këmbëngulur se vendimmarrja për përbërjen e kabinetit qeveritar është në kompetencën e tij.

“Ju keni ngritur një legjendë se mua më mban peng dhe më bën shantazh Balluku. Mua nuk më mban peng askush dhe ministrat i zgjedh vetë, ndërsa drejtorët i zgjedhin ministrat në bashkëpunim me drejtuesit politikë të qarqeve”, mësohet të jetë shprehur Rama.

Me këtë deklaratë, kreu i qeverisë ka kundërshtuar publikisht, përpara socialistëve, pretendimet për një ndikim të pakontrolluar të Belinda Ballukut në emërimet dhe vendimmarrjen brenda kabinetit qeveritar.

Në tërësi, diskutimet e Asamblesë duket se kanë nxjerrë në pah një klimë të tensionuar brenda Partisë Socialiste, ku përballë mesazheve zyrtare për forcimin e strukturave dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore janë shfaqur kritika për mungesën e mbështetjes politike, pakënaqësitë e brendshme dhe frikën për humbjen e Tiranës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.