Aktorja e njohur amerikane Demi Moore festoi ditëlindjen e saj të 64-t të mërkurën, më 11 nëntor, në një atmosferë të ngrohtë familjare, e rrethuar nga tri vajzat e saj, Rumer, Scout dhe Tallulah Willis, si dhe mbesa Louetta.
Ylli i Hollywood-it ndau me ndjekësit në rrjetet sociale disa momente nga festa, duke publikuar fotografi dhe video nga kjo ditë e veçantë. Në njërën prej fotove, Moore shfaqet duke pozuar përpara tullumbaceve me emrin e saj, ndërsa në një video tjetër, tri vajzat dhe mbesa i këndojnë këngën tradicionale të ditëlindjes.
Një nga surprizat e veçanta të mbrëmjes ishte edhe një pjatë me biskota të dekoruara me fotografi të aktores nga filma të ndryshëm dhe sete fotografike që kanë shënuar karrierën e saj shumëvjeçare në Hollywood.
“Mirënjohëse! Faleminderit për të gjitha urimet e ditëlindjes”, shkroi aktorja në përshkrimin e publikimit të saj.
Ditëlindja e Demi Moore u shoqërua edhe me dedikime të shumta nga vajzat e saj, të cilat zgjodhën të shprehnin publikisht dashurinë dhe admirimin për nënën e tyre.
Vajza e madhe, Rumer Willis, 38 vjeçe, publikoi disa fotografi nga fëmijëria, mes tyre edhe një imazh të ëmbël të aktores me mbesën Louetta, të cilën Rumer e ka nga lidhja e mëparshme me Derek Richard Thomas.
“Gëzuar ditëlindjen mbretëreshës dhe legjendës absolute Demi Moore, e njohur edhe si nëna dhe gjyshja jonë. Të duam deri në hënë e mbrapa. Çfarë dhurate është të kemi mundësinë të të festojmë dhe të të duam”, shkroi ajo.
Edhe Scout Willis, 35 vjeçe, ndau fotografi familjare dhe një video ku shfaqet duke ecur përkrah së ëmës në lëvizje të ngadaltë, në një skenë që ngjante me një sfilatë mode.

“Gëzuar ditëlindjen burimit të forcës, dhembshurisë dhe hirit që është nëna ime. Sa shumë të dua! Faleminderit që më mbështet dhe më do kaq bukur”, ishte mesazhi i saj.
Ndërkohë, vajza më e vogël, Tallulah Willis, 32 vjeçe, publikoi fotografi nga fëmijëria me aktoren, si dhe një imazh të saj me qenin Pilaf dhe aktoren Tilda Swinton.
“Gëzuar ditëlindjen këtij personi tepër të veçantë, kësaj force, kësaj qenieje”, shkroi Tallulah.
Ajo ndau gjithashtu një kujtim nga një intervistë e nënës së saj në vitin 1996, të cilën e kishte parë së fundmi. Në atë intervistë, Demi Moore kishte treguar se Tallulah po kalonte një periudhë kur i thoshte se nuk ishte nëna ajo që vendoste.
Duke iu referuar këtij momenti, Tallulah shkroi se tashmë ndiente krejtësisht ndryshe: “Kohët e fundit pashë një intervistë që dhatë në vitin 1996, në të cilën thatë se po kaloja një fazë ‘ti nuk je shefja ime’. Por sot, sinqerisht dhe me gjithë zemër dëshiroj që të mund të jem fëmija juaj përgjithmonë, edhe nëse jam shefja. Të dua”.
Përmes këtyre dedikimeve dhe fotografive, vajzat e aktores e kthyen ditëlindjen e saj në një festë të veçantë familjare, duke treguar edhe një herë lidhjen e ngushtë që kanë me të.










