Vijojnë problemet për udhëtarët që fluturojnë në Shtetet e Bashkuara. Pas bllokimit të së premtes, që preku mbi 15 mijë avionë, Departamenti amerikan i Transportit parashikon se të shtunën do të anulohen nga 4 deri në 5 mijë fluturime. Pasojat u ndien edhe në disa prej aeroporteve kryesore të Europës, me anulime dhe vonesa në aeroportin Charles de Gaulle të Parisit dhe në atë të Frankfurtit.

Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, tha se sistemi është rikthyer në funksionim të plotë dhe se “nuk ka të dhëna që të sugjerojnë një sulm kibernetik”. Ai foli në një konferencë për shtyp të organizuar paraditen vonë, me orën lokale në SHBA, e cila nisi me vonesë për shkak të problemeve teknike.

Sipas Duffy-t, shkak i incidentit ishte një ndërhyrje mirëmbajtjeje për zëvendësimin e kabllove të bakrit me kabllo me fibër optike.

Ndërkohë, burime europiane të aviacionit, të informuara nga kolegët amerikanë për rrjedhën e ngjarjes, i thanë gazetës italiane Corriere della Sera se ndërprerja e sistemeve të komunikimit të qendrave amerikane të radarëve, që zgjati rreth katër orë të premten, dyshohet se lidhet me një përditësim të softuerit në disa prej qendrave të kontrollit të trafikut ajror.

Sipas këtij rindërtimi, sistemi doli jashtë funksionit kur dy pjesët e rrjetit, njëra e përditësuar dhe tjetra ende me teknologjinë e vjetër, u përpoqën të komunikonin me njëra-tjetrën. Si pasojë, u pezulluan fluturimet dhe u prekën mbi 1,5 milionë udhëtarë.

Burimet ende nuk arrijnë të shpjegojnë se si një përditësim i vetëm mund të ketë shkaktuar pasoja në shkallë kombëtare, kur kontrolli i trafikut ajror mbështetet në disa nivele sistemesh rezervë. Nëse ndërfaqja kryesore del jashtë funksionit, duhet të hyjnë në punë sistemet e emergjencës.

Po ashtu, mbetet e paqartë pse ndërhyrja u krye në një ditë me trafik të dendur, si e premtja, kur të shtunën numri i fluturimeve është më i ulët.

Administratën Federale të Aviacionit të SHBA-së (FAA) e pret shumë punë. Për të garantuar sigurinë e fluturimeve, agjencia urdhëroi pasditen vonë të së premtes, më 13 nëntor, një “ground stop”, pra pezullimin e nisjeve të avionëve.

Sipas përllogaritjeve të kompanisë së specializuar Cirium, të premten u anuluan mbi 8 200 fluturime, thuajse një e treta e atyre të planifikuara për gjithë ditën. Qindra fluturime ishin anuluar tashmë edhe për të shtunën. Po të premten, 722 fluturime u kthyen në aeroportet nga ku ishin nisur, ndërsa 171 u ulën në aeroporte të tjera.

Çfarë ndodhi konkretisht?

Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, që Uashingtoni ua ka përcjellë partnerëve europianë, gjithçka nisi pak pas mesditës së të premtes.

Specialistët e L3Harris, kompanisë që administron sistemin e komunikimit të brendshëm të kontrollit të trafikut ajror në SHBA, përditësuan një pjesë të rrjetit që lidh qendrat e kontrollit me njëra-tjetrën.

Kur sistemi u rikthye në funksionim të plotë, pjesa e përditësuar dhe ajo e vjetër nuk arritën më të komunikonin. Me shumë gjasë, ndërfaqet e tyre nuk ishin më të përputhshme. Kjo e bëri të nevojshme rinisjen e të gjithë sistemit, duke ndërprerë kështu komunikimet.

Për të paktën dy orë, specialistët e FAA-së u përpoqën të rivendosnin komunikimin në frekuencat e radios. Në disa qendra radarësh nuk ia dolën, ndërsa në të tjera sinjali mbeti i paqëndrueshëm. Në atë pikë, vendimi për pezullimin e nisjeve ishte marrë tashmë.

Si ruajtën kontaktin avionët që ishin në ajër?

Kur u vendos pezullimi i nisjeve në shkallë kombëtare, mbi 4 mijë avionë ishin në ajër dhe kishin ende mundësi komunikimi. Në rast të një ndërprerjeje të plotë, disa sisteme rezervë u mundësojnë kontrollorëve të trafikut ajror të mbajnë kontakt me pilotët. Ata komunikojnë kryesisht me radio, përmes frekuencave kryesore, dytësore dhe atyre të emergjencës. Pilotëve mund t’u dërgohen edhe mesazhe me tekst. Një pjesë e madhe e avionëve komercialë janë të pajisur gjithashtu me sisteme komunikimi satelitor.

Pse dështoi përditësimi dhe si u përhap problemi në të gjithë vendin?

Mbetet për t’u sqaruar se pse ndërhyrja dështoi. L3Harris deklaron se sistemet që administron kanë një shkallë besueshmërie prej 99,99971%. Sipas ekspertëve, përditësimet duhet të bëhen sipas metodës së njohur si “build-then-switch”. Versioni i ri instalohet dhe testohet paralelisht me sistemin ekzistues. Më pas, kalimi te versioni i ri bëhet segment pas segmenti, në orët kur trafiku është i ulët, me sisteme të plota rezervë dhe duke e mbajtur rrjetin në funksion gjatë gjithë procesit. Në këtë rast, duket se procedura nuk është ndjekur. Nëse është ndjekur, diçka ka dështuar gjatë zbatimit.

Edhe përhapja e problemit në shkallë kombëtare konsiderohet e pazakontë. Një shpjegim i mundshëm lidhet me infrastrukturën e vjetruar të qendrave të radarëve. Pasojat e një përditësimi të vetëm duhej të ishin kufizuar nga sistemet rezervë, të paktën dy prej tyre. Megjithatë, ndërprerja preku si komunikimet me zë, ashtu edhe lidhjet në frekuencat e radios, në çdo qendër kontrolli. Si ndodhi kjo?

Specialistët e aviacionit kujtojnë rastet e vitit 2025 në Dallas dhe Filadelfia, kur pati shenja se sistemet rezervë kishin dështuar. Në ato raste, problemet mbetën të kufizuara në nivel lokal. Këtë herë, ndërprerja u përhap në mbarë vendin./Corriere Della Sera