Rimbursimi i sensorëve të monitorimit të glukozës në gjak për fëmijët e prekur nga diabeti i tipit 1, që pritet të nisë vitin e ardhshëm, vlerësohet nga Shoqata e Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet si një hap shumë i rëndësishëm në mbështetje të shëndetit dhe mirëqenies së tyre, por ata kërkojnë zgjerimin e kësaj skeme edhe te gratë shtatzëna.
Në kuadër të Ditës Botërore të Diabetit, ata sjellin në vëmendje se monitorimi i vazhdueshëm i glicemisë ul rreziqet për nënën dhe foshnjën, si dhe ul kohën e gjatë që nëna kalon me nivele të larta të sheqerit.
Asim Toro, Shoqata e Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet u shpreh se: “Është shumë e vështirë si situatë. Një femër që është me diabet dhe është në fazën e shtatzënisë mund të bëjë mbi shumë shpime nëpër gishta që të masë sheqerin herë pas here. Sepse një sheqer i panormalizuar sjell një fëmijë me shumë probleme, edhe në tru. Po e theksoj edhe në tru, sepse ka raste që ka ndodhur dhe këto më mbrapa sjellin edhe pasoja të tjera për çiftin.”
“Kërkojmë rimbursim të sensorëve për femrat shtatzëna që duhet të bëjnë shumë matje gjatë ditës dhe nuk kanë ekonomi të tyre.”
Shoqata Amerikane e Diabetit ka përcaktuar gjatë këtij viti objektivin specifik që gratë shtatzëna me diabet të tipit 1 duhet të synojnë që mbi 70% të kohës ta mbajnë gliceminë në intervalin 63-140 mg/dL, vlera që përmes sensorëve do të ishin shumë herë më të lehta për t’u mbajtur.
Për gratë shtatzëna me diabet të tipit 1, rekomandimi për sensorët është tashmë pjesë e udhëzimeve ndërkombëtare për vlerësimin e glukozës në kohë reale dhe kjo ndërhyrje ndikon drejtpërdrejt në sigurimin e dy jetëve, të nënës dhe foshnjës, ndërsa do të ndihmonte çiftet e reja në përballimin e kostove për blerjen e fishave.










