Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca janë përjashtuar nga forumet drejtuese të Partisë Socialiste, ka konfirmuar sekretari i përgjithshëm i kësaj force politike Blendi Klosi.
Klosi ka reaguar në rrjetet sociale për të sqaruar prononcimin e tij pas Asamblesë së Partisë Socialiste, duke thënë se ishte keqkuptuar me qëllim. Ai sqaron se Spiropali dhe Ndreca nuk “nuk ka sens” të përjashtoheshin si anëtarë të Partisë Socialiste pasi çdokush mund të bëhet anëtar duke aplikuar “online”.
Sipas Klosit, mos kalimi në votim i pëtjashtimit të tyre, ndodhi pasi vetëm tre socialistë u shprehën kundër publikisht.
“Keqkuptimi padyshim i qëllimshëm i prononcimit për median ka prodhuar një lajm të rremë. Po, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisë. Por në një parti si PS ku cilido aplikon online dhe bëhet anëtar, nuk ka sens përjashtimi edhe nga partia.
Fakti që nuk u votua në Asamble është shumë i thjeshtë. Tre shokë që ishin kundër parimisht për përjashtimin u shprehën lirisht dhe në mbyllje gjithçka ishte e qartë. Ky është fakti ndërsa të tjerat janë konsum mediash që mund ta mbulojnë diellin me shoshë vetëm që u bë natë.
Nesër është një ditë e re dhe Partia Socialiste do të vazhdojë rrugën me frymën pozitive të kësaj asambleje”, thotë Klosi.











