Një çështje e rëndë që ka shkaktuar reagime në Greqi ka përfshirë trajnerin e peshëngritjes Odysseas Dhimas, vëllain e kampionit olimpik Pirro Dimas. 58-vjeçari është vënë nën akuzë për furnizim, ruajtje dhe trafikim të paligjshëm të steroideve anabolike, ndërsa dyshohet se u siguronte këto substanca edhe sportistëve të rinj, mes tyre të miturve. Ish-trajneri i ekipit kombëtar të peshëngritjes është paraqitur përpara hetuesit, ku ka kërkuar afat për të përgatitur mbrojtjen e tij. Ai pritet të japë shpjegimet të hënën, ndërsa aktualisht ndodhet në paraburgim në pritje të zhvillimit të procedurave ligjore.

Pas arrestimit, Odysseas Dimas ka vendosur të flasë publikisht, duke mohuar akuzat për furnizimin e qëllimshëm të sportistëve me substanca anabolike. Ai pretendon se ndaj tij është zhvilluar një fushatë dezinformimi dhe veçon akuzat se i ka dhënë steroidë edhe djalit të tij të mitur.

Në deklaratën e tij, Dimas pretendon se në rastin e djalit është përdorur një suplement ushqimor i ligjshëm, në përbërjen e të cilit nuk deklarohej substanca anabolike. Sipas tij, kjo është pranuar edhe nga ASEAD, e cila, siç shprehet ai, e ka konsideruar rastin si pakujdesi. Ai ka këmbëngulur gjithashtu se preparatet e gjetura në banesën e tij janë të ligjshme, me përjashtim të disa produkteve për të cilat thotë se do të provojë se i përdor për arsye mjekësore. Në fund të deklaratës, trajneri ka kërkuar ndjesë publike ndaj vëllait të tij, Pirro Dimas, dhe familjarëve, për situatën e krijuar nga kjo çështje.

“Kam ndaluar së stërvituri atletë prej dy vitesh. Ndihem i shkatërruar nga dezinformimi kundër meje, kur ata shkojnë aq larg sa më akuzojnë se i kam dhënë qëllimisht steroide anabolike djalit tim të mitur. E vërteta, që del nga një vendim gjykate, është se është përdorur një suplement ushqimor i ligjshëm, i cili nuk përmendte substancën anabolike. Kjo u pranua nga ASEAD, e cila përbëhet nga gjyqtarë të rregullt, dhe më akuzoi për pakujdesi. Preparatet e gjetura në shtëpinë time janë të ligjshme, përveç disave, për të cilat do të vërtetoj se i përdor për arsye mjekësore. I kërkoj ndjesë vëllait tim Pirros Dimas dhe familjes sime, që i kam vënë në një pozitë të vështirë për shkak të sjelljes sime të pavlerë. U kërkoj ndjesë të gjithë qytetarëve që e deshën Pirro Dimas.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: