Janë zbardhur detaje nga përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe Elisa Spiropalit në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku është diskutuar edhe kërkesa për përjashtimin e saj nga partia.
Sipas burimeve nga mbledhja, Spiropali ka kundërshtuar akuzat ndaj saj, duke deklaruar se qëndrimet dhe veprimet e saj nuk kanë turpëruar Partinë Socialiste, ndërsa ka drejtuar kritika ndaj personave që, sipas saj, kanë abuzuar me pushtetin.
“Nga veprimet e mia nuk është turpëruar PS. Ka ndër ne që kanë abuzuar me pushtetin. Nëse duhet të jem flamingo, atëherë më quani flamingo”, mësohet të jetë shprehur Spiropali.
Debati është shoqëruar me replika të drejtpërdrejta mes saj dhe Ramës. Kryeministri i është drejtuar Spiropalit me një krahasim historik, duke i thënë: “Unë për ty kam qenë Skënderbeu dhe ti ishe Mamica, por ti i re shtëpisë tënde me gur dhe u bëre flamingo”.
Spiropali i është përgjigjur se qëndrimet e saj nuk kanë qenë kundër Edi Ramës, por kundër mënyrës se si, sipas saj, po menaxhohen emërimet në qeveri dhe administratë, si dhe ndaj personave që shfrytëzojnë partinë për interesa personale.
“Unë nuk kam qenë kundër teje, por kundër mënyrës si zgjidhen ministrat dhe drejtorët, dhe atyre që abuzojnë me pushtetin dhe shfrytëzojnë Partinë Socialiste. Nëse kjo duket si flamingo, atëherë unë jam një flamingo. Kam qenë kryetare e Kuvendit, nuk ka procedurë që më përjashton”, mësohet të ketë deklaruar ajo.
Nga ana e tij, Rama ka kundërshtuar qëndrimin e Spiropalit, duke i thënë se “nuk qëllohet me gurë shtëpia”. Ndërsa, lidhur me mocionin e saj, burimet bëjnë me dije se kryeministri është shprehur: “Nuk i pranoj këto parti të reja, marrëveshje të reja”.
Pavarësisht kërkesës së Ramës për përjashtimin e Spiropalit, çështja nuk është hedhur në votim në Asamblenë Kombëtare, pas kundërshtimeve që ka hasur brenda mbledhjes. Reagimi i vetë Spiropalit dhe mbështetja që ajo ka marrë nga Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erion Braçe kanë bërë që kërkesa të mos shkojë në votim.
Fatmir Xhafaj është shprehur kundër përjashtimit të Spiropalit dhe Plarent Ndrecës, duke kërkuar që ndaj tyre të merren masa, por jo të shkohet deri te largimi nga partia. Edhe Pandeli Majko dhe Erion Braçe kanë mbështetur qëndrimin kundër përjashtimeve.
Përveç përplasjeve për fatin e Spiropalit dhe Ndrecës, në Asamblenë e PS-së është diskutuar edhe riorganizimi i drejtimit politik të partisë në qarqe.
Rama ka vendosur të dyfishojë numrin e drejtuesve politikë, nga 12 në 24, duke ndryshuar skemën e organizimit elektoral të PS-së në prag të zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027.
Ndryshime parashikohen edhe në Tiranë, ku drejtimi politik pritet t’u besohet Albana Koçiut dhe Ervin Demos, të cilët do të kenë përgjegjësinë për organizimin dhe koordinimin e strukturave socialiste në kryeqytet, ndërsa Ogerta Manastirliu mbetet drejtuesja politike e Tiranës.a.b





