Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste po vijon punimet me dyer të mbyllura në Gjirin e Lalëzit, në një mbledhje që po shoqërohet me diskutime dhe zhvillime të rëndësishme politike brenda mazhorancës.
Mbledhja nisi me fjalën e kryeministrit Edi Rama, i cili kërkoi ndërprerjen e transmetimit për mediat, duke deklaruar se dëshironte të ndante fillimisht disa mesazhe me anëtarët e Asamblesë. Gjatë kësaj kohe, komunikimi me të pranishmit brenda sallës është bërë i pamundur, pasi telefonat janë mbajtur të fikur.
Pas rikthimit, në fjalën e tij publike, Rama u ndal te procesi i integrimit europian, duke e cilësuar historik rekomandimin e Komisionit Europian për nisjen në vitin 2027 të përgatitjeve për traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ai kërkoi mobilizimin e strukturave socialiste në të gjithë vendin, në funksion të zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me kërkesën e Ramës për të hedhur në votim në përfundim të Asamblesë përjashtimin nga PS të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës. Kërkesa ka sjellë reagime brenda mbledhjes. Fatmir Xhafaj ka kundërshtuar përjashtimin, duke kërkuar që ndaj tyre të merren masa, por jo të largohen nga partia. Ndërkohë, nga burgu i Fierit, Erion Veliaj u ka dërguar anëtarëve të Asamblesë një letër të gjatë, me titull “Partia Socialiste është më e madhe se kryetari i saj”.
Në fokus të Asamblesë është edhe riorganizimi i strukturave drejtuese të PS-së. Sipas raportimit të gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, Rama ka vendosur të dyfishojë numrin e drejtuesve politikë në qarqe, nga 12 në 24. Për qarkun e Tiranës, sipas të njëjtit raportim, drejtimi politik do t’u besohet Albana Koçiut dhe Ervin Demos.
Asambleja e sotme është mbledhja e parë e këtij forumi pas rreth nëntë muajsh dhe zhvillohet në një moment kur Partia Socialiste po përgatitet për zgjedhjet vendore, ndërsa përballet edhe me debate të brendshme dhe zhvillime të rëndësishme politike. Punimet vijojnë me dyer të mbyllura.










