Në hetim për korrupsion, autoritetet gërmojnë në pyll, nxjerrin nga dheu paratë e ish-ministrit të qeverisë Orbán (VIDEO)
Pamjet e operacionit të autoriteteve hungareze për sekuestrimin e 17.7 milionë eurove në para cash kanë zbuluar detaje nga mënyra se si u gjetën paratë, të cilat ishin fshehur në vende të ndryshme, përfshirë pyje, magazina dhe ndërtesa private. Në videot e publikuara shihen hetuesit duke gërmuar me lopata në mes të pyllit, ku zbulojnë shuma të mëdha parash të groposura në tokë.
Në pamjet e tjera shfaqen tufat e parave të sekuestruara, të cilat ishin fshehur në ndërtesa bujqësore, depo, banesa private dhe në një kasafortë të vendosur në një zonë të izoluar. Sipas autoriteteve, gjatë dy ditëve të kontrolleve u sekuestruan 5.071.632.000 forinta hungareze, 2.658.350 euro dhe 1.257.100 dollarë, me një vlerë totale prej rreth 17.7 milionë eurosh.
Operacioni u zhvillua të enjten dhe të premten nga Agjencia Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurive (NVVH), në kuadër të hetimeve për korrupsion ndaj ish-ministrit hungarez të Zhvillimit, Miklós Seszták. Ai dyshohet se ka marrë ryshfete në lidhje me një kontratë për blerjen e autobusëve të përdorur nga kompania shtetërore e transportit, të cilët dyshohet se janë blerë me çmime të fryra.
Seszták, i cili mbajti postin e ministrit nga viti 2014 deri në vitin 2018 gjatë qeverisjes së Viktor Orbán, është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim. Në kuadër të hetimeve të tjera janë arrestuar gjithashtu dy ish-ministra dhe vëllai i ish-kryeministrit Orbán.
Kryeministri aktual i Hungarisë, Péter Magyar, e cilësoi sekuestrimin si një moment të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit të periudhës së qeverisjes së paraardhësit të tij. Ai deklaroi se operacioni shënon zyrtarisht fundin e asaj që e quajti “mafia Fidesz-KDNP”, duke iu referuar dy partive të koalicionit të dikurshëm qeverisës. Ndërkohë, Orbán nuk ka reaguar ende për zhvillimet e fundit.




