Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka përfunduar punimet në Gjirin e Lalëzit pa votuar kërkesën e kryeministrit Edi Rama për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga partia.
Kërkesa ishte paraqitur nga kreu i PS-së gjatë diskutimeve me dyer të mbyllura, por në përfundim të mbledhjes nuk u zhvillua votimi për këtë çështje. Kështu, propozimi i Ramës nuk u hodh për miratim përpara anëtarëve të Asamblesë.
Pas përfundimit të takimit, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, foli për mediat, ku u pyet edhe për situatën e Elisa Spiropalit. Ai u përgjigj shkurt se ajo vijon të jetë anëtare e Partisë Socialiste.
“Spiropali është anëtare e partisë”, deklaroi Klosi.
Gjatë prononcimit, ai foli edhe për vendimet organizative të marra në Asamble, procesin e përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme dhe platformën “Këshilltari i Bashkisë Sime”.
Klosi bëri të ditur se në kuadër të organizimit të ri janë propozuar dy bashkëkryetarë për secilën prej 61 bashkive, ndërsa pas riorganizimit territorial dhe strukturor numri i tyre do të jetë 46. Për drejtimin e strukturave në Tiranë janë propozuar Albana Koçiu dhe Ervin Demo.
“Asambleja ishte për miratimin e platformës ‘Këshilltari i Bashkisë Sime’, procesin për fushatën elektorale dhe, natyrisht, për punët tona organizative”, tha Klosi.
Ai u bëri thirrje gjithashtu personave që dëshirojnë të kontribuojnë në këshillat bashkiakë dhe në platformën e re të nisin punën në mënyrë të strukturuar në çdo qendër urbane dhe rurale.

