Pas përfundimit të mbledhjes me dyer të mbyllura të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi foli për mediat mbi vendimet e marra.
Klosi sqaroi se mbledhja ishte pjesë e kalendarit të rregullt të Asamblesë dhe kishte në qendër përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, PS do t’i hapë forumet për këdo që dëshiron të kontribuojë dhe do ta organizojë punën në mënyrë të strukturuar në çdo qendër urbane e rurale.
Të lidhura
None found
Në këto forume, tha ai, do të identifikohen problemet dhe çështjet që presin zgjidhje, në mënyrë që propozimet e partisë të pasqyrohen në garën e ardhshme elektorale dhe në drejtimin e bashkive.
Për Tiranën, Klosi bëri të ditur se Albana Koçiu dhe Ervin Demo do të jenë bashkëkryetarë të drejtimit politik dhe organizativ të PS-së në kryeqytet, ndërsa Ogerta Manastirliu do të marrë drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Ai shtoi se struktura e organizimit partiak nuk do të ndryshojë, pavarësisht ndryshimeve në drejtimin e bashkive.
I pyetur nëse Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca mund të përjashtohen nga Partia Socialiste, Klosi shmangu një përgjigje, duke thënë se bëhet fjalë për çështje të brendshme të partisë. Ai u tha gazetarëve se, për të marrë informacion mbi këto çështje, duhet të jenë pjesë e forumeve të PS-së.








