Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka dhënë detaje për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, duke u ndalur te organizimi i ri i strukturave partiake dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Klosi bëri të ditur se në drejtimin e strukturave socialiste në Tiranë janë propozuar Albana Koçiu dhe Ervin Demo, të cilët do të kenë rolin e bashkëkryetarëve.
Ai sqaroi se organizimi i ri do të përfshijë 46 njësi, nga 61 bashki që ishin më parë, ndërsa mbështetja politike dhe organizative do të mbetet e njëjtë.
“Sa i përket drejtimit të Tiranës, u propozuan dy bashkëkryetarë. Në të gjitha 61 bashkitë, që me organizimin e ri do të shkojë në 46, mbështetja partiake do të jetë e njëjtë, do të jetë nga dy bashkëkryetarë, nga Albana Koçiu dhe Ervin Demo”, deklaroi Klosi.
Duke folur për vendimet e Asamblesë, sekretari i Përgjithshëm i PS-së tha se fokusi ka qenë te platforma “Këshilltari i Bashkisë Sime”, organizimi i fushatës elektorale dhe puna me strukturat në terren.
Ai u bëri thirrje të gjithë atyre që duan të kontribuojnë në këshillat bashkiakë që të nisin punën në mënyrë të strukturuar në çdo qendër urbane dhe rurale.
“Asambleja ishte për miratimin e platformës ‘Këshilltari i Bashkisë Sime’, procesin për fushatën elektorale dhe, natyrisht, për punët tona organizative”, u shpreh Klosi.
I pyetur për Elisa Spiropalin, ai deklaroi shkurt se ajo vijon të jetë pjesë e Partisë Socialiste.
“Spiropali është anëtare e partisë”, tha Klosi.
Nga ana tjetër bëhet me dije se Balla do të vijojë drejtimin e qarkut të Tiranës.













