“E mbrojta Ballukun sepse s’kishim pse ta paraburgosnim një kolege pa gjyq si Veliaj”/ Rama për hetimet e SPAK ndaj të vetëve: Nuk bëj avokatin e askujt

14/11/2026 12:42

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës në Asamblenë e Partisë Socialiste, u ndal te çështjet e drejtësisë që lidhen me Belinda Ballukun dhe Erion Veliajn, duke deklaruar se ai dhe Partia Socialiste nuk bëjnë avokatinë e askujt që ka probleme me drejtësinë.

Rama theksoi se në rastin e Ballukut nuk ka bërë asnjë deklaratë në mbrojtje të saj, ndërsa përsëriti qëndrimin mbi paraburgimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Sipas tij, nuk mund të mbahet në paraburgim një kryetar i zgjedhur dhe njëkohësisht të argumentohet se ai nuk mund të zëvendësohet pasi vijon të jetë në detyrë.

“U ngrit një teori e tërë, një furtunë e tërë se si unë mbrojta Belinda Ballukun nga drejtësia. Dua ta them këtë se nuk më është dhënë rasti ta them dhe ndërkohë e kam dëgjuar të përsëritet në pafundësi e të kthehet në një të vërtetë të krijuar artificialisht. Po cila është e vërteta e vërtetë? E vërteta ime që unë e kam ndarë me ju? Është e njëjta gjithmonë: raporti ynë me drejtësinë ka qenë, është dhe mbetet një raport pushtetesh të ndara dhe kush ka një problem me drejtësinë e ka personal, të vetin me avokatët e vet. Unë dhe Partia Socialiste nuk bëjmë avokatinë e askujt.

Gjejeni një fjalë timen ose të kujtdo këtu, që ta ketë bërë këtë gjë në rastin e Belinda Ballukut dhe ma thoni; nuk e gjeni dot për asnjërin dhe për asnjërën. Po, do të gjeni fjalë të miat për paraburgimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës. Është një paraburgim absurd dhe mbetet një çështje e demokracisë. E kam thënë këtë gjë, e përsëris këtë gjë: pse? Nuk mund t’i marrësh ti kryeqytetit kryetarin e zgjedhur dhe t’ia mbyllësh brenda pa gjyq, por nga ana tjetër nuk mund të thuash që ky nuk mund të zëvendësohet se është në detyrë?

Tani, o njëra, o tjetra, të dyja bashkë janë një nonsens, por asnjëherë nuk kam thënë dhe asnjëherë nuk do të them asgjë në lidhje me meritën e çështjes. Nuk është puna ime. Në rastin e Belinda Ballukut çfarë kam thënë? Kam thënë nuk ka arsye për të ngritur ne, se erdhi puna tek ne, jo tek mendimi im apo i joni për çështjen se kjo s’është çështja jonë. Por erdhi puna tek ne, ta ngremë kartonin për të paraburgosur një tjetër koleg pa gjyq kur hetimet vazhdojnë.

Sot e vërteta është aty e gjitha: hetimet vazhduan, u kryen, çështja shkoi në gjyq. Pra nuk ishte pengesë, ishte pjesë e një qasjeje të cilën unë personalisht dhe ne të gjithë bashkë do ta kundërshtojmë me ligj. E kemi thënë këtë, kemi punuar më shumë se një vit apo dy vjet me gjithë paketën e masave për paraburgimin, jemi vendi më absurd i Europës me dyfishin e të paraburgosurve të Rusisë ku mund të futesh në burg dhe me telefon. Dyfishin!

63% e njerëzve që sot paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe nuk kushton pak një njeri që rri brenda, janë të paraburgosur. Ndodhin çudira, i mbarojnë afatet dhe dalin pa u gjykuar fare. Çfarë është kjo? Ça jemi ne, barbarë jemi ne? Patjetër që ne jemi për hetime, për gjykime të pavarura, por këtu ka disa balanca, ka disa të drejta dhe liri të njerëzve.

Këtu ne nuk jemi në Mesjetë ku turma kërkon gjak edhe kërkon turra drush se nesër vjen te tjetri e te tjetri dhe ligji nuk ka lidhje fare me figurat e larta. As me veprat që lidhen me SPAK-u.  Ka lidhje me shumë bij nënash atje që janë sipas zakonit të demokracisë dhe sipas Kushtetutës së Shqipërisë, të pafajshëm deri në momentin kur gjykohen, e rrinë në burg. Po pse? Pse? Mbajmë në burg ne pa gjyq edhe turistë të huaj, kalamaj që i kapin me hashash dhe rrinë atje brenda presin që të gjykohen. Ça janë këto? Ky ka qenë qëdnrimi dhe ky është qëndrimi. Të tjerat janë dokrra hini, kur thoshte At Gjergji, dhe paketa e re është në konsultim”, u shpreh Rama.

 

Top Channel