Një bisedë private në WhatsApp, ku shtatë punonjëse kritikonin dhe ofendonin shefin e tyre, është kthyer në një çështje gjyqësore në Spanjë, duke përfunduar deri në Gjykatën Supreme. Vendimi përfundimtar ka qenë në favor të punonjëseve, duke e cilësuar largimin e tyre nga puna si të pajustifikuar.
Ngjarja nisi në fund të vitit 2021, kur punonjëset e një autoshkolle u përfshinë në një konflikt me drejtuesin për kalendarin e punës, pushimet vjetore dhe ditët festive.
Ato pretendonin se datat 24 dhe 31 dhjetor duhej të konsideroheshin ditë pushimi, në përputhje me marrëveshjen kolektive të sektorit.
Të pakënaqura nga situata, shtatë gratë krijuan një grup privat në WhatsApp, ku shkëmbyen mesazhe kritike dhe fyese ndaj punëdhënësit. Megjithatë, njëra prej pjesëmarrëseve ia tregoi shefit përmbajtjen e bisedave. Në janar të vitit 2022, kompania vendosi t’i pushonte të shtata nga puna për arsye disiplinore.
Çështja përfundoi në Gjykatën e Punës në Palma, e cila vendosi se shkarkimet ishin të pajustifikuara, pasi mesazhet ishin shkëmbyer në një komunikim privat.
Edhe pse bisedat përmbanin ofendime ndaj shefit, partneres së tij dhe kolegeve të tjera, gjykata vlerësoi se ato ishin shprehje pakënaqësie në një mjedis të mbyllur.
Kompania e apeloi vendimin, por Gjykata e Lartë e Baleareve e konfirmoi atë në prill 2024. Më pas, çështja shkoi në Gjykatën Supreme të Spanjës, e cila nuk e ndryshoi vendimin fillestar.

