E priste avioni privat për Paris, Vedat Muriqi refuzoi PSG-në dhe milionat për të kaluar te Lazio! Igli Tare zbulon historinë
Një prapaskenë e bujshme nga merkatoja e verës së vitit 2020 është zbuluar nga ish-drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare. Në qendër të historisë është sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, i cili sipas rrëfimit të drejtuesit shqiptar refuzoi një mundësi për t’u transferuar te gjigantët francezë të Paris Saint-Germain, vetëm për të veshur fanellën e klubit italian.
Në një intervistë për “Sky Calcio Unplugged”, Tare tregoi se për sulmuesin ishte përgatitur edhe një avion privat me destinacion Parisin, por Muriqi zgjodhi të mos e pranonte ofertën e PSG-së dhe të transferohej te Lazio.
“Po flasim për një qendërsulmues fenomenal për mënyrën se si e interpreton lojën. Te Lazio, për arsye të ndryshme, nuk arriti të jepte atë që mund të jepte. Ai kishte një avion privat që shkonte në Paris për të shkuar te PSG, por e refuzoi për të ardhur te Lazio. Ai refuzoi gjithashtu edhe më shumë se dyfishin e pagës që i ofrohej diku tjetër, vetëm për të ardhur në Itali”, deklaroi Tare.
Interesant është fakti se edhe vetë Muriqi e kishte treguar më parë këtë histori, duke shpjeguar se arsyeja kryesore e zgjedhjes së tij ishte fjala e dhënë ndaj Igli Tares.
Sulmuesi tregoi se PSG kishte kontaktuar përfaqësuesit e tij pak para nisjes drejt Romës, duke ofruar të plotësonte kërkesat e Fenerbahçes dhe kushtet financiare të lojtarit. Megjithatë, Muriqi vendosi të respektonte marrëveshjen e arritur me Lazion.




