Bundestagu ka miratuar një reformë madhore për shërbimet sekrete gjermane, duke u dhënë atyre më shumë mundësi për të vepruar kundër rreziqeve që kërcënojnë sigurinë kombëtare.
Ndryshimet ligjore prekin Shërbimin Federal të Inteligjencës (BND) dhe Zyrën Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV). Përveç grumbullimit dhe shqyrtimit të informacionit, të dyja institucionet do të mund të ndërmarrin masa konkrete ndaj kundërshtarëve dhe kërcënimeve të evidentuara.
Të lidhura
None found
BND-ja, e ngarkuar me inteligjencën jashtë Gjermanisë, do të autorizohet të kundërveprojë ndaj sulmeve kibernetike të organizuara nga shtete të huaja, përfshirë goditjen e sistemeve digjitale të kundërshtarëve për t’i nxjerrë jashtë funksionit. Në rrethana të caktuara, shërbimi mund të ndërhyjë edhe për shkatërrimin e armëve të kundërshtarëve, nëse ato paraqesin rrezik për Gjermaninë.
Kompetenca shtesë do të ketë edhe BfV-ja, që merret me sigurinë e brendshme. Kur paraqitet një rrezik i veçantë, ajo mund të hyjë në banesat e personave të dyshuar pa siguruar më parë urdhër kontrolli nga gjykata, si dhe të ndërhyjë në kompjuterët e telefonat inteligjentë të tyre.
Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, e përshkroi reformën si historike. Ai tha se rreziqet ndaj Gjermanisë janë rritur, duke përmendur Rusinë, sulmet kibernetike, ekstremizmin politik e fetar dhe përpjekjet për të destabilizuar institucionet demokratike.
Dobrindt argumentoi se përballimi i këtyre kërcënimeve kërkon shërbime sekrete më të fuqishme. Reforma, megjithatë, ka nxitur kundërshti të forta politike dhe juridike.
AfD-ja dhe E Majta votuan kundër, ndërsa Të Gjelbrit abstenuan. Kritikët thonë se qeveria po u jep agjencive kompetenca të tepruara, çka mund të zbehë ndarjen tradicionale mes shërbimeve të inteligjencës dhe policisë. Ky parim është një shtyllë e sistemit gjerman të sigurisë, i vendosur pas përvojës së diktaturës naziste dhe abuzimeve të Gestapos.
Shqetësime kanë ngritur edhe ekspertë të së drejtës kushtetuese. Matthias Bäcker, profesor në Universitetin e Mainzit, paralajmëroi se kompetencat e reja ndërhyrëse mund të cenojnë të drejtat themelore të qytetarëve. Sipas tij, veçanërisht problematike është hyrja me forcë në banesa dhe ndërhyrja në pronën private pa garancitë e zakonshme gjyqësore.







