Një spital në qytetin Krasnystaw, në Poloni, u ka bërë thirrje banorëve dhe fermerëve të zonës që të dhurojnë patate, karota, qepë dhe perime të tjera për përgatitjen e ushqimit të pacientëve. Kjo nismë e pazakontë vjen në një kohë kur institucioni shëndetësor po përballet me një krizë të rëndë financiare. Fushata e grumbullimit të produkteve bujqësore është organizuar në komunën Izbica, në rajonin e Lublinit, me kërkesë të drejtorit të spitalit, Zbigniew Widomski.

Aksioni zhvillohet më 12 dhe 13 nëntor, ku banorët mund të dhurojnë patate, karota, majdanoz, qepë, panxhar dhe perime të tjera.  Banorëve të komunës Izbica u është kërkuar që perimet t’i përgatisin në thasë dhe t’i vendosin përpara banesave të tyre.

Grumbullimi do të bëhet nga ora 07:00 deri në 15:00, ndërsa produktet mund të dorëzohen edhe pranë administratës lokale. Produktet do të dërgohen drejtpërdrejt në kuzhinën e spitalit, ku do të përdoren për përgatitjen e vakteve për pacientët.

Kjo nuk është iniciativa e parë e këtij lloji. Në tetor, një aksion i ngjashëm u zhvillua në komunën fqinje Gorzków, ku banorët dhuruan perime dhe fruta për spitalin.

Sakaq, sipas autoriteteve lokale, kjo ndihmë synon të përmirësojë cilësinë e ushqimit për të sëmurët dhe të kursejë fonde, të cilat më pas mund të përdoren për përmirësimin e shërbimeve mjekësore.

Sipas dokumenteve të dorëzuara në shtator te këshilltari i qarkut, Piotr Szewczyk, detyrimet e spitalit në korrik 2026 arritën rreth 6.64 milionë euro. Ndërkohë, humbjet e raportuara kapën shifrën 1.88 milionë euro.

Brenda dhjetë muajve, borxhet janë rritur me 2.72 milionë euro. Ndërsa detyrimet e prapambetura ndaj furnitorëve kanë arritur në rreth 1.68 milionë euro. Drejtoria e spitalit ia atribuon vështirësitë financiare rritjes së kostove të funksionimit dhe mosshlyerjes nga Fondi Kombëtar i Shëndetësisë të një pjese të shërbimeve të ofruara. Vetëm shpenzimet mujore për pagat dhe kontratat janë rritur me afërsisht 147 mijë euro.