Rama dhe shumica në Kuvend, tashmë drejt “duarve” të Tom Doshit
Kërkesa e kryeministrit Edi Rama për përjashtimin e Elisa Spiropalit nga Partia Socialiste mund të prodhojë pasoja për ekuilibrat parlamentarë të mazhorancës. Nëse vendimi merr formë zyrtare, PS rrezikon të mbetet me vetëm 81 deputetë, duke e bërë edhe më të varur nga mbështetja e aleatëve në vendimmarrjet që kërkojnë shumicë të cilësuar.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, Partia Socialiste siguroi 83 mandate në Kuvend. Por ky numër ka pësuar ndryshime pas shkëputjes së deputetes së Malësisë së Madhe, Marjana Koçeku, nga grupi parlamentar socialist, e cila iu bashkua protestave kundër qeverisë.
Një largim i mundshëm i Elisa Spiropalit do ta çonte numrin e deputetëve të PS-së në 81, duke e dobësuar më tej pozicionin parlamentar të socialistëve. Kjo situatë do të kishte ndikim veçanërisht në votimet për çështje që kërkojnë të paktën 84 vota në Kuvend.
Në këtë skenar, Partia Socialdemokrate e Tom Doshit do të merrte një peshë të veçantë në llogaritë parlamentare të mazhorancës. Me tre deputetët e saj, PSD mund të bëhet faktori që përcakton nëse qeveria arrin apo jo kuotën prej 84 votash.
Pra, një përplasje brenda Partisë Socialiste për fatin politik të Elisa Spiropalit mund të shndërrohet në një çështje me pasoja për raportet e forcave në Kuvend. Nëse PS mbetet me 81 mandate, Rama do të duhet të llogarisë më shumë se më parë votat e Tom Doshit dhe aleatëve të tjerë për vendimet që kërkojnë shumicë të cilësuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



