Asambleja e socialistëve që është duke u mbajtur këtë të shtunë në Gjirin e Lalzit, në Durrës, është duke u ndjekur me interes dhe në kampin opozitar, me kryedemokratin Sali Berisha, që ka bërë komentet e tij, gjatë një komunikimi live në rrjetet sociale.
Berisha ka komentuar dhe zërat mbi përjashtimin e Spiropalit nga Partia Socialiste, të cilën e ka inkurajuar që të distancohet nga kryeministri Edi Rama. Dikur vetë Berisha e etiketonte deputeten socialiste si “Mamica” për shkak të krahasimit që Spiropali i bënte Ramën me heroin kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Sali Berisha: Elisa Spiropali nuk pati kurajën, duhet ta them, nuk pati kurajën e deputetes Koçeku, por i dha votën Edi Ramës edhe atëherë kur nuk duhej ta votonte kurrë.
Natyrisht më mirë vonë se kurrë edhe ajo, dhe shpresoj që të ketë edhe deputetë të tjerë që në këto çaste kritike për vendin të rreshtohen në anën e qytetarëve.










