Xhafaj i del kundër Ramës për Spiropalin dhe Ndrecën: Mos i përjashto
Kërkesa e Edi Ramës për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga Partia Socialiste ka hasur në kundërshtime brenda vetë strukturave drejtuese të partisë.
Gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, e zhvilluar me dyer të mbyllura në Gjirin e Lalëzit, Fatmir Xhafaj ka kundërshtuar propozimin e kryeministrit, duke kërkuar që ndaj dy socialistëve të merren masa, por pa shkuar deri në përjashtimin e tyre nga PS-ja.
“Të jetë ditë e parë për të gjithë. Të marrin masa, por jo të përjashtohen”, mësohet të ketë deklaruar Xhafaj gjatë diskutimeve.
Qëndrimi i tij vjen në një moment tensionesh brenda Partisë Socialiste, pasi Rama kërkoi që largimi i Spiropalit dhe Ndrecës t’i nënshtrohej votimit në Asamble.
Gjatë mbledhjes janë shënuar edhe replika mes kryeministrit dhe Elisa Spiropalit, ndërsa Plarent Ndreca, i cili është avokat i kryebashkiakut Erion Veliaj, nuk ka qenë i pranishëm.
Ndërkohë, për Erion Veliajn, Rama ka mbajtur një qëndrim të ndryshëm. Ai ka kundërshtuar përjashtimin e kryebashkiakut të Tiranës, duke argumentuar se për shkak të situatës së tij ligjore “i ka duart e lidhura”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



