Kërkesa e kryeministrit Edi Rama për përjashtimin e Elisa Spiropalit nga Partia Socialiste mund të sjellë një tkurrje të mëtejshme të numrave të socialistëve në Kuvend, duke e bërë shumicën qeverisëse të varur nga votat e aleatëve për arritjen e kuotës prej 84 votash.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, Partia Socialiste siguroi 83 mandate. Megjithatë, ky numër është reduktuar pas largimit të deputetes së Malësisë së Madhe, Marjana Koçeku, e cila u shkëput nga grupi parlamentar socialist për t’iu bashkuar protestave kundër qeverisë.
Nëse kërkesa për përjashtimin e Spiropalit miratohet, numri i mandateve të socialistëve do të zbresë në 81. Kjo do të thotë se PS nuk do të mund të sigurojë e vetme shumicën e cilësuar prej 84 votash, të nevojshme për miratimin e disa ligjeve dhe vendimeve të rëndësishme në Kuvend.
Në këto kushte, votat e tre deputetëve socialdemokratë të Tom Doshit do të merrnin një rëndësi vendimtare për mazhorancën. Vetëm me mbështetjen e tyre, socialistët do të mund të arrinin numrin prej 84 votash, duke e bërë Ramën të varur nga votat e aleatëve për vendimmarrjet që kërkojnë shumicë të cilësuar.
