Policia e Kosovës sot ka bërë të ditur se një gruaje të premten i është keqësuar gjendja pas trajtimit mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë, ndërkaq me autoambulancë është nisur për në Spitalin Rajonal Pejë, ku me të arritur atje, mjekët kanë konstatuar se është pa shenja jete.

E lidhur me këtë rast Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë ka dal me një njoftim zyrtar.


Në njoftim bëhet e ditur se pacientja menjëherë pas fillimit të infuzionit ka shfaqur reaksion alergjik.

Sipas njoftimit, pacientja është dërguar në urgjencën e QKMF-së, ku mjeku internist, së bashku me mjekët e tjerë, ka ndërmarrë trajtimin e reaksionit alergjik.

Tutje bëhen të ditura edhe procedurat që janë ndërmarrë.

Lexoni të plotë njoftimin, pa ndërhyrje:

NJOFTIM ZYRTAR NGA QKMF “ NËNË TËREZA” NË KLINË

Data: 13.11.2026,Klinë

Drejtuar:

Kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj

Drejtorit për Shëndetësi dhe mirëqenie sociale, z. Agron Bacaj

Ministrit të Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, dhe të gjitha mediave në Kosovë

Lidhur me rastin e vdekjes së pacientes pas dhënies së shërbimit shëndetësor në QKMF në Klinë

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) shpreh ngushëllime të thella për familjen e pacientes dhe njofton institucionet përkatëse, mediat dhe opinionin publik për rrjedhën e trajtimit mjekësor në këtë rast:

Pacientja ka marrë shërbim specialistik te mjeku infektolog, i cili ka përshkruar terapi me infuzion.

Pacientja është drejtuar në njësinë e infuzioneve dhe ka filluar marrjen e terapisë. Menjëherë pas fillimit të infuzionit ka shfaqur reaksion alergjik.

Pacientja është dërguar në urgjencën e QKMF-së, ku mjeku internist, së bashku me mjekët e tjerë, ka ndërmarrë trajtimin e reaksionit alergjik.

Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, pacientja është transferuar me autoambulancë drejt Pejës, e shoqëruar nga mjeku dhe infermieri.

Janë angazhuar edhe njësitë policore të Klinës, me qëllim të përshpejtimit të transportit, për shkak të ngarkesës në trafik, në mënyrë që rasti të arrinte sa më shpejt në Spitalin Rajonal në Pejë.

Gjatë pjesës më të madhe të rrugës është kryer reanimim kardiopulmonar, ndërsa në Pejë pacientja është intubuar. Megjithë masat intensive dhe terapeutike të ndërmarra, pacientja ka ndërruar jetë.

Rasti është aktualisht nën hetim nga institucionet kompetente. QKMF do të bashkëpunojë me organet përkatëse dhe do t'u ofrojë të gjithë dokumentacionin mjekësor të kërkuar.

Duke respektuar ndjeshmërinë e rastit, dinjitetin e pacientes dhe privatësinë e familjes, QKMF nuk do të bëjë komente të mëtejshme gjatë zhvillimit të hetimit dhe do të informojë publikun për çdo zhvillim relevant. /Telegrafi/