Rama: Duhet të shmangim “ujin e pisët” për të ecur drejt BE-së, vetëm ne e marrim këtë përgjegjësi

Aktualitet | 9 minuta më parë

Kryeministri Edi Rama ka theksuar rëndësinë e përmbushjes së detyrimeve në procesin e integrimit evropian, duke deklaruar se Shqipëria duhet të jetë vazhdimisht e mobilizuar për të përmbushur kërkesat e Bashkimit Evropian.

Gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Rama tha se procesi i integrimit kërkon punë të përditshme dhe përmbushjen e çdo detyre brenda afateve.

Ai u shpreh se Partia Socialiste duhet të ruajë fokusin te perspektiva evropiane dhe të mos përqendrohet vetëm te debatet e brendshme politike.

“Ne funksionojmë me centimetra, ne e kemi9 me kronometër, çdo ditë duhet të përmbushim detyra,, duhet të jemi vazhdimisht të mobilizuar për të çuar në Bruksel të gjitha ato që kërkohen se nuk vjen ai togfjalëshi atje në kohën e duhur nëse ne nuk japim atë që duhet dhe unë jam krenar për këtë parti sepse të zhytur këtu në këtë vorbullën tonë të Tiranës, të lagjes politike, të dhomave dhe kuzhinave të vetë partisë Socialiste ne rrezikojmë ta humbnim sensin e perspektives të cilin e kemi shumë të thjeshtë, Brukseli, KE”, u shpreh Rama.

Rama krahasoi ecurinë e Shqipërisë me një vend tjetër ku, sipas tij, procesi ishte bllokuar për shkak të mosplotësimit të kërkesave të Brukselit. Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur, pavarësisht problemeve që vijojnë të ekzistojnë.

“Në atë vendin tjetër ku ndodhi ajo përmbysja, Brukseli kishte lënë gjëra të shkruara shumë të rënda prej kohësh, ishte bllokuar gjithçka, sepse nuk shkonin gjërat në drejtimin e duhur. Këtu sot, tani që flasim çdo gjë shkon në drejtimin e duhur sepse ndryshe nuk hyjmë tek ai togfjalëshi që nuk do të thotë se s’ka 100 probleme por ne kemi detyrën të mos e hedhim beben bashkë me ujin e pistë. Ne Duhet të merremi me ujin e pistë por duhet të kujdesemi për beben çdo ditë, askush tjetër nuk e merr dot këtë përgjegjësi dhe askush tjetër nuk e mban dot këtë përgjegjësi”, tha ai

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme