Dy persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor në Rrugën e Arbrit. Ngjarja ndodhi paraditen e kësaj të shtune, në zonën e Xibrit, pranë tunelit të Murrizit, ku u përplasën dy automjete.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, aksidenti u regjistrua rreth orës 10:15. Përplasja u mori jetën drejtuesit të njërit prej automjeteve, një 42-vjeçari me inicialet B. O., si dhe një pasagjereje, M. F., e cila udhëtonte në automjetin tjetër, me drejtues 45-vjeçarin A. F.
Ndërkohë, pesë persona të tjerë janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe për t’iu nënshtruar kontrolleve.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Policia ka bërë të ditur se hetimet janë në vijim, ndërsa informacioni mbetet paraprak.

