“Ulëritën, shkulën gurë dhe hodhën molotovë”, Rama për protestat: Tani është koha të flasim ne!
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama është ndalur te protestat e zhvilluara së fundmi në vend. Ai deklaroi se protestuesit kanë përdorur gurë dhe molotovë, ndërsa theksoi se tashmë ka ardhur koha që socialistët të komunikojnë më gjerësisht me qytetarët në çdo lagje dhe fshat.
Rama iu referua edhe nismës “Prania Besnike”, duke e cilësuar si një mënyrë për të njohur nga afër shqetësimet e komuniteteve. Sipas tij, mandati qeverisës nuk përbën vetëm një mandat katërvjeçar, por një mision që kërkon dëgjim, shpjegim dhe dialog të vazhdueshëm me qytetarët.
“‘Prania Besnike’ e provon se është një nga shtigjet e duhura për të ndjerë nga afër pulsin e çdo komuniteti. Ka ardhur koha e një pranie politike të shtrirë gjerësisht në territor. Ka ardhur koha jonë të flasim.
I kanë thënë të tëra, i kanë ulëritur të tëra, i kanë shkruar gurët e bulevardit dhe kanë hedhur molotovët që nuk ishin hedhur në 35 vite liri. Por fjala jonë nuk është thënë akoma.
Tani është koha të flasim ne, në çdo lagje dhe çdo fshat. Të flasim me çdo shqiptar që nuk i frikësohet dialogut.
Një mandat si ky nuk është një mandat katërvjeçar i radhës, është një mision i ngarkuar nga një popull i tërë dhe nuk zhbëhet dot nga askush.
Është një mision, jo një e drejtë për të mos dhënë shpjegime kur njerëzit i kërkojnë dhe aq më pak një e drejtë për të mos qenë te njerëzit më shumë se sa çdo herë më parë.
Sa më i fortë mandati, aq më të udhës bëhen dëgjimi i shpeshtë, shpjegimet, gatishmëria e plotë për dialog”, tha Rama.




