Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. “GREEK FESTIVAL ALBANIA”, DITË ME MUZIKË E VALLE NË TIRANË
“Greek Festival Albania” do të organizohet për herë të parë në Tiranë më 14 dhe 15 nëntor, në Parkun Olimpik, duke sjellë një eksperiencë kushtuar muzikës, kërcimit dhe kulturës greke. Festivali do të përfshijë 14 orë workshop-e të valleve tradicionale, me pjesëmarrjen e tre instruktorëve nga Greqia, ku publiku do të ketë mundësi të mësojë valle tradicionale greke, ndërsa do të shoqërohet gjithashtu me muzikë live nga dy këngëtarë grekë dhe atmosferë festive.
2. “VRASËS PA PAGESË”, KOMEDIA NË TEATRIN “METROPOL” NË TIRANË
Shfaqja “Vrasës pa pagesë” do të vijë në skenën e Teatrit “Metropol” në Tiranë sot dhe nesër, më 14 dhe 15 nëntor, në orën 19:00. Me autore Erina Lazi dhe regji të Eglantina Tukës, vepra sjell historinë e një dramaturgu të ri, një vrasësi që nuk arrin ta kryejë punën dhe një miku që shfaqet në momentin e gabuar. Përmes humorit dhe situatave të papritura, shfaqja ngre edhe pyetje mbi shpresën dhe dështimet njerëzore.
3. KOMEDIA “SHTËPIA” NË SKENËN E TEATRIT “PETRO MARKO” NË VLORË
Komedia “Shtëpia”, e ndërtuar mbi motivet e veprës “Vëllazëri e interes” të Kristo Floqit, me tekst, përshtatje dhe regji nga Naser Shatrolli, do të rikthehet në skenën e Teatrit “Petro Marko” në Vlorë sot dhe nesër, më 14 dhe 15 nëntor, në orën 19:00. Në këtë shfaqje, që vjen në kuadër të 64-vjetorit të teatrit, interpretojnë Bujar Asqeriu, Vefi Redhi, Roland Minga, Ermir Hoxhaj, Loris Sinanaj, Artan Islami dhe Igli Fusha.
4. EKSPOZITA “SI DIKUR” NGA THEO NAPOLONI TE GALERIA “KALO”
“Si dikur” është ekspozita retrospektive nga Theo Napoloni e çelur në galerinë “Kalo” në Tiranë e që do të vijojë të qëndrojë e hapur deri më 19 nëntor. “Populli ushtar” është motoja, që artisti Theo Napoloni përpiqet të na e sjellë përmes ekspozimit të disa fotografive nga jeta e forcave tona të armatosura, por edhe të popullit.
5. “YLLI PA EMËR” NË TEATRIN “ZIHNI SAKO” NË GJIROKASTËR
Shfaqja teatrore “Ylli pa emër”, e dramaturgut rumun Mihail Sebastian, do të vijojë të ngjitet në skenën e Teatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër edhe sonte dhe nesër në orën 19:00. Me regji të Erion Hinajt, vepra rrëfen historinë e një takimi të papritur mes një gruaje të panjohur dhe Marinit, një mësuesi matematike që zbulon një yll të ri pa emër. Në kastin e aktorëve janë Aleksandër Kondi, Denada Bixhaku, Lejda Çeli, Kosta Kreci, Gesjon Selfo dhe Erion Hinaj.
6. EKSPOZITA/“QYTETI I DEHUR” NGA TASO UDHËTON NË BERAT
“Qyteti i Dehur” është ekspozita e piktorist Anastas Kostandini (Taso) e çelur deri më 19 nëntor në galerinë “Edëard Lear” në Berat.
7.TEATRI PËR FËMIJË/ “KREVATI I GJYSHES” TE “METROPOL”
“Krevati i gjyshes” është shfaqja për fëmijë që vjen në skenën e teatrit “Metropol” këtë fundjavë. Ajo do të shfaqet nesër në orën 11:00, duke sjellë një udhëtim plot humor, lojë dhe surpriza, ku ardhja e gjyshes kthen përmbys përditshmërinë e një familjeje.
8.“MBRETI LUAN”, MUZIKALI PËR FËMIJË NË TEATRIN E KUKULLAVE
Muzikali “Mbreti Luan” vjen në skenën e Teatrit të Kukullave në Tiranë me një produksion imersiv, kukulla gjigande, muzikë, ngjyra dhe surpriza për vogëlushët. Ai do të shfaqet sot në orën 18:00 dhe nesër në oraret 10:30 dhe 18:00.
9. “METROSOUND – KUR TINGULLI BËHET FJALË”, KTHIM NË VITET ’90
“Metrosound – Kur tingulli bëhet fjalë” do të sjellë një mbrëmje kushtuar muzikës dhe poezisë së viteve ’90, sonte, më 14 nëntor, në orën 20:00 te Mrizi i Zanave, “Bukë & Gjath” në Tiranë. Nën udhëheqjen artistike të Jonida Beqos dhe regjinë e Aldi Hysotocit, në këtë udhëtim nostalgjik interpretojnë Luli Bitri dhe Genti Deçka, të shoqëruar në piano nga Milen Nikolla, në violinë nga Najada Sulollari dhe nga këngëtaret Alfosina Hasanaj dhe Lidia Mrishaj.












Komente
Komento