Një anije cisternë është përplasur me forcë të madhe me një anije turistike në lumin Misisipi, pranë portit të New Orleans-it, duke e fundosur atë. Anija e pasagjerëve American Heritage u anua në mënyrë të rrezikshme dhe përfundoi pjesërisht nën ujë. Operacionet e shpëtimit janë në zhvillim. Autoritetet lokale kanë raportuar për 32 persona të plagosur, të cilët janë transportuar në spital, por asnjëri prej tyre nuk ndodhet në gjendje të rëndë. Dëshmitarët e kanë përshkruar skenën si të ngjashme me atë të tragjedisë së Titanikut.
Anija cisternë Atlantic Asphal, sikur të kishte dalë jashtë kontrollit, ka goditur me shpejtësi të madhe anijen turistike, ndërsa kjo e fundit ishte e ankoruar.
Pamjet e përplasjes janë bërë virale në rrjetet sociale.
Dy orë përpara incidentit, anija e pasagjerëve ishte ankoruar për t'u mundësuar udhëtarëve të zbrisnin. Megjithatë, në momentin e përplasjes, në bordin e American Heritage ndodheshin rreth 129 pasagjerë, përveç anëtarëve të ekuipazhit.
Disa persona ranë në ujë, ndërsa mbanin jelekë shpëtimi, ose duke u kapur pas parmakëve, ndërkohë që ana tjetër e anijes po anohej gjithnjë e më shumë. Dhjetëra persona që ranë në ujë u shpëtuan nga varkat pranë vendngjarjes.
“Jemi në dijeni të incidentit të ndodhur në lumin Misisipi dhe jemi në kontakt të ngushtë me autoritetet lokale dhe forcat e rendit. Në këtë moment jam duke u nisur drejt New Orleansit”, deklaroi guvernatori i Luizianës, Jeff Landry.
Një dëshmitar, Jamie Holford, i tha televizionit CBS News se kishte parë American Heritage të përplasej me molin pas goditjes nga anija cisternë.
Ai përshkroi skena ku njerëzit largoheshin të frikësuar. Më pas, kur anija filloi të përmbysej, disa persona nisën të kapërcenin parmakët për të arritur te moli, tregoi ai.
“Dukej si një skenë nga filmi Titanic”, tha dëshmitari.
I pyetur se çfarë zhurme kishte shkaktuar përplasja, Holford u përgjigj: “Dukej si një skenë nga një film lufte. Imagjinoni tonelata çeliku që shtypen dhe deformohen. Pikërisht kjo ishte zhurma.”
Anija American Heritage është ndërtuar në vitin 2015 dhe operohet nga kompania American Cruise Lines. Ajo ka pesë kuverta dhe mund të akomodojë deri në 150 pasagjerë.
Ndërsa anija cisternë është e specializuar në transportin e sasive të mëdha të asfaltit dhe bitumit, një lëndë gjysmë e ngurtë që përdoret shpesh në ndërtimin e rrugëve dhe në veshjen e çative.






Komente
Komento