I gjithë territori i qarkut Kukës është përfshirë gjatë 24 orëve të fundit nga reshje shiu me intensitet të ulët, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë të jenë në monitorim të situatës dhe në gatishmëri për të përballuar çdo problematikë të mundshme.

Prefektura e Qarkut Kukës bën me dije se, si pasojë e reshjeve, në disa segmente të rrugëve nacionale janë evidentuar rënie gurësh dhe inertesh. Subjektet kontraktore vijojnë punën në terren për pastrimin e akseve rrugore dhe garantimin e qarkullimit normal të mjeteve.

Sipas informacionit zyrtar të Prefekturës, të gjitha akset rrugore nacionale janë të kalueshme, ndërsa nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk raportohen problematika të tjera të shkaktuara nga kushtet atmosferike.

Ndërkohë, situata e furnizimit me energji elektrike paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme në pjesën më të madhe të territorit të qarkut. Sipas të dhënave të OSHEE Kukës, aktualisht pa energji elektrike janë fshatrat Bushat, Nangë, Çam dhe Leproj në Kukës; Kishaj e Pogaj në Has dhe Lekbibaj në Tropojë.

Grupet e punës janë në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike në të gjitha zonat e prekura. Ndërprerjet kanë ardhur si pasojë e dëmtimeve në linjat e transmetimit, të shkaktuara nga erërat e forta. Nga ana tjetër, pavarësisht rritjes së lehtë të nivelit të ujit si pasojë e reshjeve të dy ditëve të fundit dhe prurjeve, Liqeni i Fierzës vijon të mbetet në kuota të ulëta. Pamjet e fundit të filmuara me dron dhe të publikuara në rrjetet sociale nga arkitekti Andrit Shehu japin një panoramë të qartë të situatës aktuale të liqenit ku dallohen ende rrënojat e zbuluara të Kukësit të Vjetër.