BBC
Presidenti amerikan Donald Trump, presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping pritet të zhvillojnë javën e ardhshme një takim të përbashkët në Kinë. Shtëpia e Bardhë konfirmoi se tre liderët do të takohen në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), në qytetin Shenzhen.
Ky do të jetë takimi i parë trepalësh në nivelin e drejtuesve të këtyre tri fuqive botërore, të cilat zotërojnë arsenalet më të mëdha bërthamore në botë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, bëri të ditur se Trump do ta përmbyllë vizitën e tij në Kinë me një takim trepalësh me homologët rusë dhe kinezë.
‘Presidenti e ka bërë të qartë se, ndër të tjera, do të diskutojë për reduktimin e armëve bërthamore në botë, përhapjen e të cilave presidenti Trump e konsideron shumë të rrezikshme’, deklaroi Wales.
Sipas zyrtarëve amerikanë, në takim pritet të diskutohet edhe lufta në Iran, ndërsa çështja e Ukrainës nuk është parashikuar në axhendë. Një zyrtar i lartë amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Uashingtoni nuk pret që takimi të prodhojë ndonjë marrëveshje konkrete.
Ai e cilësoi takimin si një pikënisje për bisedimet e ardhshme mes tre fuqive.
Çarmatimi bërthamor në qendër të diskutimeve
Takimi zhvillohet në një moment delikat për kontrollin ndërkombëtar të armëve bërthamore. Në shkurt të këtij viti skadoi traktati i fundit i rëndësishëm për kontrollin e armëve bërthamore mes SHBA-së dhe Rusisë, duke lënë arsenalet më të mëdha bërthamore në botë pa kufizimet kryesore që parashikonte marrëveshja.
Presidenti Trump ka deklaruar se dëshiron një marrëveshje të re, më të mirë, që të përfshijë edhe Kinën. Pekini, megjithatë, ka treguar pak interes për t'u përfshirë në një traktat të tillë, ndërsa po zgjeron arsenalin e tij bërthamor.
Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje Uashingtonit dhe Moskës të arrijnë pa vonesë një kuadër të ri bashkëpunimi për kontrollin e armëve.
Sipas zyrtarëve amerikanë, Trump synon të diskutojë gjithashtu me Putin dhe Xi Jinping për konfliktin në Iran. Ndërkohë, lufta në Ukrainë nuk pritet të jetë pjesë e bisedimeve trepalëshe, pasi SHBA-ja ndjek një kanal të veçantë negociatash me Moskën dhe Kievin.
Takimi në një moment tensionesh mes fuqive të mëdha
Takimi në Shenzhen zhvillohet në një kohë kur marrëdhëniet mes tri vendeve karakterizohen nga interesa të përbashkëta, por edhe nga përplasje të forta gjeopolitike.
Kina është kthyer në një partner të rëndësishëm tregtar për Rusinë që prej nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, ndërsa bashkëpunimi mes Moskës dhe Pekinit ka zgjeruar ndikimin e tyre përballë sanksioneve perëndimore.
Nga ana tjetër, afrimi i administratës Trump me Moskën ka shkaktuar shqetësime në disa kryeqytete evropiane. Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Pekinit mbeten gjithashtu të ndërlikuara, për shkak të mosmarrëveshjeve për tregtinë, inteligjencën artificiale dhe Tajvanin.
Trump do të mbërrijë në Shenzhen të mërkurën në mbrëmje, për samitin dyditor të APEC-ut, ku marrin pjesë 21 ekonomi të rajonit Azi-Paqësor. Të enjten ai pritet të zhvillojë edhe një takim dypalësh me Xi Jinping, përpara takimit trepalësh me presidentin kinez dhe atë rus.
Vizita e presidentit amerikan do të nisë në Filipine, ku të martën do të marrë pjesë në një samit të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN).
Ndërkohë, mediat shtetërore kineze kanë raportuar për takimin dypalësh mes Trump dhe Xi në kuadër të APEC-ut, por deri tani nuk kanë dhënë detaje për takimin trepalësh. Edhe Moska dhe Pekini nuk kanë bërë ende komente zyrtare për njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
© SYRI.net