Partia Socialiste mbledh këtë të shtunë Asamblenë Kombëtare në Gjirin e Lalëzit, ku pritet të diskutohen dhe përcaktohen hapat e ardhshëm politikë dhe organizativë të mazhorancës.
Por, përpara mbërritjes në ambientet ku do të zhvillohet mbledhja, kryeministri Edi Rama është përballur me një pritë me vezë në rrugën e Sukthit.
Një grup aktivistësh i kanë zënë pritë eskortës së kryeministrit, e cila lëvizte nën shoqërimin e patrullave të Policisë. Sapo kanë parë kolonën e automjeteve, protestuesit kanë nisur të qëllojnë me vezë në drejtim të saj, duke brohoritur: “Rama në burg, Berisha në burg”.
Asambleja Kombëtare e PS-së pritet të zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, por edhe në një klimë debatesh dhe përplasjesh brenda radhëve të socialistëve.
Një tjetër çështje që pritet të shoqërojë këtë Asamble është qëndrimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka kërkuar të marrë pjesë në mbledhje dhe ka bërë thirrje për aktivizimin e mekanizmit të mocionit të mosbesimit ndaj Edi Ramës.
Nga ana tjetër vetë Rama ka kërkuar që mbledhja e Asamblesë të kryhet pa praninë e mediave.