Aktualitet Politikë

Mbledhja e Asamblesë së PS-së/Fokusi nga kandidatët për bashkitë te ndryshimet e mundshme në qeveri!

Në një resort në Gjirin e Lalzit, Partia Socialiste ka mbledhur Asamblenë Kombëtare, në një moment të rëndësishëm politik për maxhorancën. Në fokus, përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, si edhe zhvillimet brenda forcës politike në pushtet.

Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i PS-së, pritet të përcaktojë drejtimet kryesore të organizimit elektoral e të japë sinjalet e para për mënyrën si do të përzgjidhen kandidatët për kryetarë bashkie në të 46 njësitë vendore.

Një nga pritshmëritë kryesore lidhet me mundësinë që Rama të konfirmojë emra konkretë që mund të hyjnë në garën për drejtimin e bashkive.

Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi çeli punimet:

Një pikë shumë e rëndësishme në rendin e ditës është lançimi i procesit elektoral për PS-në, përgatitja jonë në të gjithë territorin, mënyra dhe kriteret për përzgjedhjen e këshilltarëve bashkiakë, si dhe puna dhe dakordësia që duhet të kemi për të gjitha procedurat që do të ndiqen nga sot deri në ditën e zgjedhjeve.

Menjëherë më pas, surprizoi Rama, duke kërkuar ndërprerjen e sinjalit për mediat:

Ju kërkoj ndjesë për ndërprerjen e sinjalit, por dua të ndaj disa fjalë për familjen tonë politike në këtë asamble.

Përtej përgatitjeve elektorale, Asambleja pritet të shërbejë edhe si një moment ku mund të jepen sinjale për ndryshime të mundshme në kabinetin qeveritar.

Në kushtet e protestave të muajve të fundit, nuk përjashtohet mundësia që kryeministri të shqyrtojë lëvizje në përbërjen e ekzekutivit.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, ka bërë të ditur se do të diskutohet edhe hapja e një platforme, që qytetarë të interesuar, të mund të aplikojnë për të kontribuar në qeverisjen vendore e përfaqësimin në këshillat bashkiakë.

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.