Edi Rama është kthyer në pengesën kryesore për reformimin e Partisë Socialiste, i drejtohet Erion Veliaj Asamblesë socialiste. Ai vlerëson kontributin e Ramës si reformator, por e bën përgjegjës për modelin e partisë, për vendimmarrjen e përqendruar dhe mbrojtjen e pasojave të qeverisjes përballë qytetarëve.
Veliaj thotë se beson te ndryshimi i Partisë Socialiste dhe energjia e saj, por kjo s’mund të arrihet pa reformimin e thellë të drejtimit dhe largimit të kryetarit.
Pjesë nga fjalimi:
Unë besoj se Partia Socialiste e ka potencialin për të ndryshuar. Ka njerëzit, historinë, përvojën dhe energjinë për t'u ringritur. Por, sipas gjykimit tim, ky ndryshim nuk mund të realizohet pa ndryshuar më parë modelin e drejtimit dhe kryetarin që e ka ndërtuar atë.
Edi Rama ka qenë një reformator i rëndësishëm i Partisë Socialiste. Por unë besoj se sot ai është kthyer në pengesën kryesore për reformimin e saj. Nuk mund të presim që një sistem i përqendruar te vullneti i një individi të korrigjohet vetëm nga vullneti i po atij individi. Nuk mund të kërkojmë demokraci të brendshme nga një model që e ka dobësuar atë; meritokraci nga një mënyrë drejtimi që ka favorizuar besnikërinë personale; apo institucione të pavarura nga një praktikë që e ka përqendruar vendimmarrjen.
Shembulli më i fundit është “Prania Besnike”. Përballë pakënaqësisë qytetare dhe nevojës së ethshme për ndryshim, përgjigjja ishte sërish një nismë e hartuar nga kryetari, jo nga forumet e Partisë Socialiste, pa debat, pa votim dhe pa një miratim real nga organet e saj. Një instrument që ia ngarkon Partisë Socialiste përgjegjësinë për të zgjidhur një problem për të cilin ajo nuk është përgjegjëse, sepse nuk është dëgjuar. Një problem që është shkaktuar nga institucionet shtetërore që nuk u përgjigjen qytetarëve. Sepse drejtuesit e këtyre institucioneve nuk janë përzgjedhur përmes një procesi politik që pasqyron ndjeshmërinë, vlerat dhe vullnetin e socialistëve, por përmes emërimeve klienteliste, jashtë vendimmarrjes së forumeve të partisë dhe brenda një sistemi marrëdhëniesh që i shërben ruajtjes së pushtetit. Pra, partia nuk pyetet kur merren vendimet, por thirret të mbajë përgjegjësi kur ato dështojnë. Nuk vendos për njerëzit që qeverisin, por duhet të dalë përpara qytetarëve për të mbrojtur pasojat e qeverisjes së tyre.
Ja ky është përdorim i grushtit dhe trëndafilit të Partisë Socialiste për interesa që nuk kanë asgjë të përbashkët as me grushtin, si simbol i forcës sonë kolektive, as me trëndafilin, si simbol i vlerave tona socialiste. Përgjigjja ime është jo. Pa ndryshimin e kryetarit dhe të modelit të drejtimit që ai përfaqëson, nuk besoj se mund të ketë një reformim të vërtetë të Partisë Socialiste.
Lajmi kryesor:
Veliaj kërkon largimin e Ramës, letra drejtuar Asamblesë: Të ndryshojë modeli i drejtimit të PS, reformimi nuk bëhet pa ndryshuar kryetarin që e ka krijuar











