Deputetët dhe ministrat e Partisë Socialiste kanë nisur të mbërrijnë në ambientet e një resorti në Gjirin e Lalëzit, ku në orën 10:30 pritet të zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS-së.
Ndër të parët që janë parë të hyjnë në ambientet ku do të mbahet takimi janë deputetja Iris Luarasi, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, si dhe ministrja e Shtetit, Erjona Ismaili.
Në resort kanë mbërritur gjithashtu deputetët Belinda Balluku, Piro Vëngu, Agron Malaj dhe Elisa Spiropali, si dhe ministrat Andis Salla dhe Ermal Nufi.
Mbledhja e sotme zhvillohet në një moment të rëndësishëm për Partinë Socialiste, ndërsa në fokus të diskutimeve pritet të jenë organizimi i strukturave për zgjedhjet vendore, përcaktimi i drejtuesve politikë në qarqe, si dhe mundësia e ndryshimeve në kabinetin qeveritar.
Vëmendje të veçantë pritet të marrë edhe qëndrimi i kryeministrit Edi Rama lidhur me situatën e Erion Veliajt. Ky i fundit, nga burgu i Fierit, u ka dërguar një letër anëtarëve të Asamblesë, ku ka shprehur kritika ndaj drejtimit të partisë.