Trump, Putin dhe Xi Jinping planifikojnë takim trepalësh në Kinë, në fokus çështja e armëve bërthamore
Presidenti amerikan Donald Trump, presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping pritet të zhvillojnë një takim trepalësh në kuadër të një samiti që do të mbahet në Kinë javën e ardhshme. Lajmi është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë.
Takimi historik mes liderëve të Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës do të zhvillohet gjatë pjesëmarrjes së Trump në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), në qytetin jugor të Shenzhenit, bëri të ditur zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales.
“Presidenti e ka bërë të qartë se, ndër çështjet e tjera, do të diskutojë reduktimin e armëve bërthamore në botë, përhapjen e të cilave presidenti Trump e konsideron shumë të rrezikshme”, deklaroi ajo për gazetarët.
Mësohet se gjatë takimit të tre fuqive më të mëdha bërthamore në botë mund të diskutohet edhe çështja e Iranit, ndërsa lufta në Ukrainë nuk pritet të jetë pjesë e agjendës. Deri më tani, Moska dhe Pekini nuk kanë komentuar zyrtarisht mbi këtë takim.
Sipas agjencive të lajmeve AP dhe Reuters, një zyrtar i lartë amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se nuk pritet që bisedimet të përfundojnë me ndonjë marrëveshje konkrete.
Trump pritet të mbërrijë në Shenzhen të mërkurën në mbrëmje, për të marrë pjesë në samitin dyditor ku do të jenë të pranishme 21 shtetet anëtare të APEC-ut. Gjithashtu, të enjten ai do të zhvillojë një takim dypalësh me Xi Jinping. Ky do të jetë takimi i tyre i katërt që prej rikthimit të presidentit amerikan në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025.
“Presidenti Trump do ta përfundojë vizitën e tij në Kinë me një takim trepalësh mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, presidentit të Republikës Popullore të Kinës dhe presidentit të Federatës Ruse”, deklaroi Wales.
Marrëveshja bërthamore SHBA-Rusi dhe roli i Kinës
Takimi trepalësh zhvillohet në një moment delikat për kontrollin e armëve bërthamore në botë.
Një traktat i rëndësishëm për kontrollin e armëve bërthamore mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë skadoi në shkurt, duke i lënë dy arsenalet më të mëdha bërthamore në botë pa kufizime të rëndësishme ligjore dhe duke shënuar praktikisht fundin e bashkëpunimit për kontrollin e armatimeve, i cili kishte ndihmuar në zgjidhjen e tensioneve të Luftës së Ftohtë.
Organizata e Kombeve të Bashkuara u ka bërë thirrje të dyja vendeve që të arrijnë pa vonesa një marrëveshje të re.
Trump, megjithatë, ka deklaruar se marrëveshja ekzistuese mund të zëvendësohet me një traktat më të mirë, ku të përfshihet edhe Kina, e cila vitet e fundit ka shtuar arsenalin e saj bërthamor.
Ish-zyrtarë të lartë amerikanë dhe analistë i thanë më herët BBC-së se përpjekja për të siguruar bashkëpunimin e Pekinit dhe Moskës mund të përballet me pengesa të mëdha dhe të kërkojë disa vite negociata.
Xi Jinping ka pritur veçmas në Pekin si Vladimir Putinin, ashtu edhe Donald Trumpin, vetëm pak ditë larg njëri-tjetrit në fillim të këtij viti. Ndërkohë, presidenti amerikan priti homologun e tij kinez në Uashington në muajin shtator.
Pekini nuk konfirmon ende takimin trepalësh
Mediat shtetërore kineze raportuan të premten se Xi Jinping do të marrë pjesë në takime dypalëshe në kuadër të samitit APEC, duke iu referuar një deklarate të një zëdhënësi të Ministrisë së Jashtme kineze.
Megjithatë, deri tani ato nuk kanë raportuar për zhvillimin e një takimi trepalësh me Trumpin dhe Putinin.
Në fillim të këtij muaji, agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS raportoi se zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kishte deklaruar se ekzistonin “sinjale që konfirmojnë gatishmërinë” për zhvillimin e një takimi të tillë në kuadër të samitit.
Nëse realizohet, takimi do të bashkojë në të njëjtën tryezë tre liderët e vendeve që zotërojnë arsenalet më të mëdha bërthamore në botë, në një moment kur kontrolli i armëve dhe tensionet ndërkombëtare mbeten ndër çështjet kryesore të diplomacisë globale.




