Vikendi i rezervuar për Kampionatin e Dytë të MMA-së në Kosovë, garuesit synojnë biletën për Botëror

Federata e Arteve Mikse Marciale e Kosovës organizon për dy ditë kampionatin e dytë të këtij sporti, ku garuesit do të luftojnë për një vend në përfaqësimin e Kosovës në Kampionatin Botëror.
Ky vikend do të jetë i rezervuar për artet marciale mikse (MMA), pasi në Kosovë do të mbahet edicioni i dytë i kampionatit, i organizuar nga Federata e Arteve Mikse Marciale e Kosovës.
Garat do të zhvillohen gjatë dy ditëve në “AMC Hall”, me pjesëmarrësit që do të kërkojnë të dëshmojnë vlerat e tyre dhe të sigurojnë një vend për ta përfaqësuar Kosovën në Kampionatin Botëror.
Aktiviteti nis sot (e shtunë), më 14 nëntor, nga ora 12:00, ndërsa nata finale do të mbahet të dielën, më 15 nëntor, duke filluar nga ora 17:00.
Për këtë ngjarje ka bërë thirrje edhe artisti i njohur kosovar, Capital T, i cili përmes një postimi ka ftuar qytetarët që të përkrahin sportistët tanë.
“Dy ditë për të vendosur kush do ta përfaqësojë Kosovën në Botëror. Ejani t’i përkrahim sportistët tanë. Shihemi pranë kafazit!”, ka shkruar ai. /Telegrafi/









































