Studentët do të zhvillojnë sot një tjetër protestë kombëtare në Tiranë. Tubimi pritet të nisë në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit, në vijim të strategjisë së re të organizatorëve për mbajtjen e dy protestave kombëtare në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë.
Kjo mënyrë organizimi u bë publike pas më shumë se 150 ditësh protestë dhe synon të mbajë të gjallë qëndresën e studentëve dhe të mbështetësve të tyre.
Ndryshe nga “Revolucioni Flamingo”, i cili për muaj të tërë u zhvillua në mënyrë paqësore, në tetor protestat morën një tjetër dimension me përfshirjen e studentëve. Lëvizja, e cila nisi me kërkesa për përmirësimin e kushteve në universitete, zgjidhjen e problematikave në arsim dhe përmirësimin e perspektivës së të rinjve, u zgjerua pas përplasjeve të 13 tetorit. Pas këtyre zhvillimeve, kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama u rikthye ndër thirrjet kryesore të protestuesve.
Studentët kanë mbajtur një qëndrim të prerë, duke e cilësuar dorëheqjen e kryeministrit si të panegociueshme dhe duke kundërshtuar ofertat për dialog me qeverinë. Në protestat e tyre janë dëgjuar vazhdimisht slogane si “Rama jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Studentët kërkojnë revolucion” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.
Paralelisht me tubimet në Tiranë, studentët kanë vijuar edhe bojkotin e procesit mësimor. Lëvizjes i janë bashkuar pedagogë, prindër dhe qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit, ndërsa në disa universitete mësimi është rikthyer në normalitet.
Në protestat e fundit, organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje më të gjerë, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka përsëritur ftesat për dialog, por deri më tani ato nuk kanë sjellë ndryshim në qëndrimin e studentëve, të cilët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e tij.