Dua Lipa, Madonna, SZA dhe Tame Impala drejt fitimeve marramendëse në Coachella 2027! Ja sa pritet të përfitojë secili nga yjet e muzikës


Publikimi i formacionit artistik të Coachella 2027 ka ngjallur interes të madh, jo vetëm për emrat e njohur që do të ngjiten në skenë, por edhe për shumat e konsiderueshme që pritet të përfitojnë artistët nga pjesëmarrja në një prej festivaleve më të rëndësishme muzikore në botë.
Sipas vlerësimeve të bazuara në pagesat e viteve të mëparshme, artistët kryesorë të këtij edicioni mund të përfitojnë rreth 10 milionë dollarë secili për performancat e tyre gjatë dy fundjavave të festivalit.
Edicioni i vitit 2027 do të sjellë në skenë emra të mëdhenj të muzikës ndërkombëtare, mes tyre Madonna, Dua Lipa, SZA, Tame Impala, Adéla, Zara Larsson, Weezer, Tiësto dhe Becky G.
Megjithëse organizatorët e Coachella-s nuk i bëjnë publike kontratat dhe pagesat e artistëve, ndër vite janë zbuluar shifra që tregojnë se sa fitimprurëse mund të jetë pjesëmarrja në këtë festival.
Një nga shembujt më të fundit është Justin Bieber, i cili ishte ndër artistët kryesorë të edicionit të vitit 2026. Sipas revistës “Rolling Stone”, këngëtari përfitoi më shumë se 10 milionë dollarë për të dyja fundjavat, ose rreth 5 milionë dollarë për secilën.
Edhe Tyler, The Creator ka zbuluar detaje për pagesën e tij. Në këngën “THAT GUY”, ai përmendi se kishte marrë një shumë tetëshifrore për performancën si artist kryesor në edicionin e vitit 2024, duke treguar nivelin e lartë të pagesave që ofron festivali për emrat më të mëdhenj.


Ndërkohë, Ariana Grande, e cila ishte një nga artistet kryesore të Coachella-s në vitin 2019, thuhet se përfitoi 8 milionë dollarë, sipas raportimeve të “Variety”.
Një vit më parë, në vitin 2018, Beyoncé u raportua se kishte marrë nga 8 deri në 12 milionë dollarë për performancën e saj të famshme, e cila më vonë u kthye edhe në dokumentarin “Homecoming” të publikuar në Netflix.
Në të njëjtin edicion performoi edhe Cardi B, por me një pagesë dukshëm më të ulët. Në një intervistë për SiriusXM, reperja zbuloi se kishte përfituar 70 mijë dollarë për çdo fundjavë, ose 140 mijë dollarë në total.
Edhe më herët, pagesat për artistët kryesorë të festivalit kanë qenë në nivelin e miliona dollarëve. Sipas revistës “The New Yorker”, Kendrick Lamar, Lady Gaga dhe Radiohead u paguan nga 3 deri në 4 milionë dollarë secili për pjesëmarrjen në edicionin e vitit 2017. Megjithatë, nuk është bërë e qartë nëse kjo shumë mbulonte të dyja fundjavat apo vetëm njërën prej tyre.
Për edicionin e vitit 2027, Dua Lipa pritet të jetë kryefjala e mbrëmjes së së premtes, Tame Impala do të performojë të shtunën, ndërsa SZA do të mbyllë programin si artistja kryesore e së dielës.
Duke marrë parasysh pagesat e raportuara për artistët kryesorë në edicionet e mëparshme, vlerësohet se edhe këta tre emra mund të përfitojnë rreth 10 milionë dollarë secili nga pjesëmarrja në Coachella 2027.
360grade.al



















