Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, ka propozuar një formulë ndryshe për garën e Bashkisë së Tiranës, duke i kërkuar kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha që të marrë vetë përsipër sfidën elektorale. Sipas Shehit, nëse Berisha synon ta rikthejë opozitën në pushtet, duhet të jetë ai që të përballet drejtpërdrejt në një nga garat më të rëndësishme politike në vend.
“A je ti Berisha kryetari i opozitës? Ja ku është vendi i Bashkisë, ik e bëj garë. Lojë më të madhe se kjo nuk ka opozita”, u shpreh Shehi. Për të argumentuar qëndrimin e tij, kreu i LZHK-së solli në vëmendje rrugëtimin politik të Edi Ramës, duke theksuar se drejtimi i Bashkisë së Tiranës i shërbeu atij si trampolinë për të mbërritur më pas në krye të qeverisë.
“Berisha të kandidojë për Bashkinë, siç kandidoi Rama. Me ça u bë kryeministër ai? Me Bashkinë e Tiranës. Rama hynte dhe fatkeqësisht fitonte”, deklaroi Shehi. Ai kritikoi gjithashtu idenë që kandidati i opozitës për kryeqytetin të vijë domosdoshmërisht nga shoqëria civile, duke e konsideruar këtë qasje të panevojshme.
“Kush është gjëja më e rëndësishme në garë? Bashkia, ik e futu. Jo po nuk futem. Të vijë ai që është i dyti i partisë. Kjo teoria e kotë që duhet të jetë nga shoqëria civile, më duket e kotë”, përfundoi Shehi. Me këtë qëndrim, Shehi e vendos përgjegjësinë politike për garën e kryeqytetit drejtpërdrejt mbi lidershipin e opozitës, duke kërkuar që ambicia për pushtet të shoqërohet edhe me përballje elektorale.
