Autoriteti amerikan i aviacionit ndaloi të premten fluturimet në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të një problemi komunikimi në kontrollin e trafikut ajror. Administrata Federale e Aviacionit në SHBA tha se urdhëroi ndalimin kombëtar të nisjeve në tokë, “për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme dhe për arsye sigurie”. Pezullimi i fluturimeve në të gjithë SHBA-në që hyri në fuqi në orën 15.54 sipas orës lindore amerikane (21.54 me orën e Shqipërisë), pritet të zgjasë deri në orët e para të së shtunës, sipas njoftimit zyrtar të Administratës Federale të Aviacionit. Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, tha se ndalimi ndodhi për shkak të një problemi komunikimi që preku të gjitha qendrat e kontrollit të trafikut ajror.