Bashkimi Evropian po punon për të avancuar zgjerimin, proces në të cilin Shqipëria përmendet mes vendeve që konsiderohen pranë anëtarësimit.
Në një intervistë për televizionin “France24”, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, tha se shpreson që Mali i Zi ta përmbyllë së shpejti rrugën drejt anëtarësimit. Ajo renditi Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën ndër vendet e tjera që janë shumë pranë në këtë proces, krahas shteteve të tjera që synojnë t’i bashkohen unionit.
Të lidhura
None found
Sipas Kallas, ndonëse zgjerimi është i vështirë, ai ka rëndësi edhe sepse u mundëson këtyre vendeve qasje në tregun e përbashkët dhe në lëvizjen e lirë të njerëzve. Ajo theksoi se përparimi i secilit shtet duhet të vlerësohet mbi bazën e meritave të tij dhe përmbushjes së standardeve evropiane.
Kallas nënvizoi se, përpara anëtarësimit, BE-ja duhet të verifikojë nëse vendet kandidate respektojnë sundimin e ligjit dhe parimet e tjera thelbësore të unionit. Siç shpjegoi ajo, kryerja e reformave bëhet shumë më e vështirë pasi një shtet është bërë anëtar.
Duke e cilësuar zgjerimin një vendim gjeopolitik, Kallas tha se, në kushtet e tanishme të sigurisë, është e nevojshme të diskutohet edhe me qytetarët e BE-së për vlerat që këto vende do t’i sjellin familjes evropiane.






