Të lindurit mes 1981 dhe 1996; Brezi që po rikthehet
Mos ua qani hallin mijëvjeçarëve. Ata janë duke e shijuar jetën. Vështirësitë e tyre ekonomike shpesh ekzagjerohen, shkruan The Economist.
Disa nga stereotipat për brezin e mijëvjeçarëve vazhdojnë të jenë të vërteta. Në Shtetet e Bashkuara, ky brez, që sot është nga fillimi i të 30-ave deri në mesin e të 40-ave, mund të ketë shpenzuar rreth 1,34 miliardë euro për avokado gjatë vitit të kaluar, sipas një përllogaritjeje të përafërt të The Economist.
Mijëvjeçarët blejnë gjithashtu më shumë birrë artizanale sesa brezat e tjerë. Por, në vendet e pasura, një stereotip edhe më i përhapur dhe më i qëndrueshëm për ta nuk përputhet më me realitetin. Ata nuk po përballen më me të njëjtat vështirësi ekonomike si dikur.
Shumë prej tyre fitojnë më shumë se prindërit e tyre (shih grafikun 1). Gjithnjë e më shumë mijëvjeçarë mbajnë pozicione me pushtet të konsiderueshëm në biznes, politikë dhe kulturë. Edhe përqindja e atyre që zotërojnë banesën ku jetojnë po rritet me shpejtësi.

Ky është një ndryshim i madh krahasuar me vitet 2010, kur mijëvjeçarët ishin në të 20-at. Gjatë periudhës më të rëndë të krizës ekonomike në Greqi, papunësia e të rinjve tejkalonte 50%. Pagat e britanikëve të kësaj moshe pothuajse nuk po rriteshin.
Rreth 40% e bashkëmoshatarëve të tyre gjermanë jetonin me prindërit. Lëvizjet sociale, nga UK Uncut dhe Indignados në Spanjë, te Occupy Wall Street në Shtetet e Bashkuara, të udhëhequra kryesisht nga mijëvjeçarët, tregonin nivelin e lartë të pakënaqësisë me gjendjen ekzistuese.
E njëjta pakënaqësi pasqyrohej edhe në mbështetjen e gjerë për politikanë të moshuar të së majtës, si Jeremy Corbyn, Jean-Luc Mélenchon dhe Bernie Sanders.
Shumë mijëvjeçarë do të vazhdonin të votonin për këta politikanë socialistë të brezit të vjetër. Por një zgjedhje e tillë po përputhet gjithnjë e më pak me interesat e tyre ekonomike. The Economist ka mbledhur të dhëna për të ardhurat e mijëvjeçarëve në 32 vende të pasura.
Vetëm në tri prej tyre, Itali, Greqi dhe Japoni, mijëvjeçarët janë ekonomikisht në një pozitë më të keqe se brezat e mëparshëm në të njëjtën moshë, nëse të ardhurat korrigjohen për inflacionin.
Në moshën 30-vjeçare, mijëvjeçarët italianë fitonin 10% më pak se pjesëtarët e brezit X, të lindur afërsisht ndërmjet viteve 1965 dhe 1979, kur ishin në të njëjtën moshë.
Bashkëmoshatarët e tyre grekë vazhdojnë të kenë të ardhura më të ulëta se të rinjtë e viteve 2000, përpara se Greqia të përfshihej nga kriza e rëndë ekonomike që nisi në vitin 2009.
Në Japoni, të ardhurat familjare të një 35-vjeçari në vitin 2019 ishin më të ulëta se ato të një 35-vjeçari në vitin 1994, pak pasi shpërthimi i një flluske të madhe spekulative e kishte futur ekonominë në një periudhë dobësie që zgjati për dekada.
Megjithatë, këto tri vende janë përjashtime. Në 29 vendet e tjera të përfshira në analizë, mijëvjeçarët kanë të ardhura reale më të larta se brezat e mëparshëm. Në disa vende, përfshirë Australinë, Britaninë dhe Francën, përparimi ekonomik nga një brez te tjetri është ngadalësuar.
Ndërsa pjesëtarët e brezit X arritën një nivel jetese shumë më të mirë se prindërit e tyre të brezit të lindur pas Luftës së Dytë Botërore, të njohur si baby boomers (1946–1964), mijëvjeçarët në këto vende kanë shënuar vetëm një përmirësim të vogël krahasuar me brezin X.
Por në shumë vende të tjera, nga Shtetet e Bashkuara të pasura deri te Polonia, ku mirëqenia po rritet me shpejtësi, ritmi i përmirësimit është përshpejtuar.
Përveç përmirësimit të gjendjes ekonomike mesatare, shumë mijëvjeçarë po arrijnë edhe në nivelet më të larta të karrierës.
Në Shtetet e Bashkuara, një mijëvjeçar ka po aq gjasa të jetë menaxher sa kishte një pjesëtar i brezit X në të njëjtën moshë. Zhvillimi i vrullshëm i industrisë amerikane të teknologjisë ka pasuruar gjithashtu brezin e mijëvjeçarëve, shumë prej të cilëve mbajnë tashmë pozicione të larta drejtuese.
Ata përbëjnë gati një të dhjetën e miliarderëve amerikanë, më shumë se dyfishi i peshës që kishte brezi X në vitin 2011. Mijëvjeçarët drejtojnë Anthropic, OpenAI dhe Meta, tri kompani gjigante të Inteligjencës Artificiale, dhe për rrjedhojë kontrollojnë një nga teknologjitë më transformuese të krijuara ndonjëherë.
Edhe në politikë, ku shpesh pretendohet se pushteti mbetet në duart e brezave të moshuar, mijëvjeçarët po ecin mjaft mirë. Ata drejtojnë qeveritë e Hungarisë, Holandës dhe Arabisë Saudite, si dhe administratën e qytetit të Nju-Jorkut.
Së shpejti, me shumë gjasa, do të drejtojnë edhe Brazilin, ku një politikan 45-vjeçar i së djathtës shihet si favorit për të mundur presidentin aktual 80-vjeçar të së majtës në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të 25 tetorit.
Mijëvjeçarët përbëjnë tashmë 14% të Kongresit amerikan, e njëjta përqindje që kishte brezi X gjatë viteve 2011-2013.
Tregjet e basteve vlerësojnë se ka rreth 50% mundësi që presidenti i ardhshëm amerikan t’i përkasë brezit të mijëvjeçarëve. Tre prej kandidatëve të mundshëm kryesorë, Alexandria Ocasio-Cortez, Jon Ossoff dhe J.D. Vance, janë të gjithë të moshës 31 deri në 45 vjeç.

Përmirësimi i gjendjes ekonomike të mijëvjeçarëve ka dy shkaqe kryesore: ekonominë dhe demografinë. Kriza financiare e viteve 2007-2009 i goditi ata veçanërisht rëndë. Punonjësit e rinj zakonisht janë të fundit që punësohen dhe të parët që largohen nga puna, ndaj vuajnë më shumë gjatë recesioneve.
Dhe ajo krizë ishte veçanërisht e thellë dhe e gjatë. Sot, megjithatë, tregu i punës në vendet e pasura është pothuajse në gjendjen më të mirë që ka qenë ndonjëherë (shih grafikun 2). Disa vende kanë shënuar një rimëkëmbje edhe më mbresëlënëse.
Megjithëse të ardhurat e tyre mbeten më të ulëta se ato të brezave më të vjetër, gati 80% e grekëve të moshës 35-44 vjeç janë të punësuar, ndoshta përqindja më e lartë e regjistruar ndonjëherë për këtë grupmoshë.
Edhe zhvillimet demografike po i favorizojnë mijëvjeçarët. Pas krizës financiare, shumë pjesëtarë të brezit baby boomers vendosën të qëndronin në punë edhe disa vite të tjera, për të rikuperuar kursimet e tyre për pension.
Për pasojë, u pakësuan pozicionet e larta të punës që mund të zinin të rinjtë. Por më pas, pandemia e COVID-19 përshpejtoi daljet në pension.
Një studim në Shtetet e Bashkuara zbuloi se, deri në fund të vitit 2022, kishte 3 milionë persona më shumë në pension sesa pritej.
Sot nuk ka mjaftueshëm punonjës të rinj për të zëvendësuar ata më të moshuar që largohen nga tregu i punës.
Në dhjetë nga 38 vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), e cila përfshin kryesisht ekonomi të pasura, popullsia në moshë pune po zvogëlohet. Mijëvjeçarët po përfitojnë nga kjo mungesë relative e fuqisë punëtore.
Po çfarë ndodh me strehimin, një nga shqetësimet më të mëdha të mijëvjeçarëve që ankohen për vështirësitë ekonomike? Në moshën 30-vjeçare, rreth 40% e mijëvjeçarëve amerikanë zotëronin një banesë, një përqindje dukshëm më e ulët se ajo e brezit X në të njëjtën moshë.
Megjithatë, mes mijëvjeçarëve më të mëdhenj në moshë, që sot janë në të 40-at, përqindja e pronarëve të banesave është saktësisht e njëjtë me atë të brezit X.
Duke përdorur të dhënat e Institutit për Studime Fiskale (IFS), një institut kërkimor, The Economist ka konstatuar se, ndërsa në moshën 30-vjeçare, mijëvjeçarët britanikë kishin një normë të pronësisë së banesave 20 pikë përqindjeje më të ulët se brezat e mëparshëm, në moshën 40-vjeçare kjo diferencë ishte përgjysmuar.
Mijëvjeçarët më të mëdhenj në moshë kanë përfituar nga përmirësimi i ekonomisë, që u ka mundësuar të kursejnë më shumë për pagesën fillestare të blerjes së një banese. Vitet e fundit, qeveritë kanë lehtësuar kushtet për marrjen e kredive hipotekore, duke ua bërë më të lehtë të rinjve blerjen e banesës së parë.
Shumë mijëvjeçarëve me arsim universitar u është dashur gjithashtu kohë për të shlyer kreditë studentore, të cilat i pengonin të kursenin për pagesën fillestare të një banese. Të tjerë mund të kenë zgjedhur thjesht ta shtyjnë blerjen e saj.
Analiza e të dhënave zyrtare amerikane nga The Economist sugjeron se të rinjtë më të pasur sot, me të ardhura vjetore mbi 178 mijë euro, kanë norma shumë më të ulëta të pronësisë së banesave sesa të rinjtë me të njëjtin nivel të lartë të ardhurash në brezat e mëparshëm.

Nëse paratë, me sa duket, nuk janë pengesë, atëherë çfarë është? Së pari, mijëvjeçarët kanë kaluar më shumë vite në shkollë sesa brezat e mëparshëm.
Ata gjithashtu priren të martohen më vonë. Për burrat amerikanë, mosha mediane e martesës së parë është 31 vjeç, krahasuar me 27 vjeç në vitet 1990.
Kjo e shtyn edhe momentin kur lind nevoja për të blerë një banesë familjare. Nga ana tjetër, provat që mbështesin argumentin e kundërt, sipas të cilit është pikërisht pamundësia për të blerë një banesë ajo që i shtyn njerëzit të vonojnë martesën, janë të paqarta dhe jo gjithmonë bindëse.
Pjesërisht për shkak se pronësia e banesave po rritet, mijëvjeçarët po grumbullojnë pasuri më shpejt se brezat e mëparshëm në të njëjtën moshë (shih grafikun 3).
Më e rëndësishmja është se mijëvjeçarët ndodhen në një pozicion të favorshëm edhe për zhvillimet e ardhshme. Nëse Inteligjenca Artificiale do të sjellë ndryshime të mëdha në tregun e punës, punonjësit e rinj do të jenë sërish ata që do të përballen me pasojat më të rënda.
Nëse ndonjë brez ka arsye të ndihet i pakënaqur, ai mund të jetë brezi Z, personat e lindur afërsisht ndërmjet viteve 1997 dhe 2012. Perspektiva e tyre e punësimit mund të përkeqësohet, ndërsa menaxherët e brezit të mijëvjeçarëve investojnë në teknologji që zëvendësojnë fuqinë njerëzore të punës.
Mijëvjeçarët pritet gjithashtu të përfitojnë nga një transferim i madh pasurie përmes trashëgimive.
Sipas vlerësimeve të The Economist, vlera e pasurisë së trashëguar çdo vit në vendet e pasura është tashmë e barabartë me rreth 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Instituti për Studime Fiskale vlerëson se, në terma realë, trashëgimia mediane për personat e lindur në Angli gjatë viteve 1980 do të jetë rreth 162 mijë euro, krahasuar me rreth 79 mijë euro për ata që kanë lindur në vitet 1960.
Pra, mos ua qani hallin mijëvjeçarëve. Tani ekonomia është në duart e tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dh
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









