Friday / November 13 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Rajoni Sigurime Western Balkans Monitor

Sigurimet, rajoni me treg të vogël dhe fitime modeste

Share Share Icon

Tregu i sigurimeve në Ballkanin Perëndimor ka ende një hendek të konsiderueshëm zhvillimi në raport me Bashkimin Europian. Industria ka përmasa të vogla në raport me madhësinë e ekonomisë, ndërsa fitimet janë relativisht të ulëta.

 

Ersuin Shehu

Tregu i sigurimeve në Ballkanin Perëndimor u rrit përsëri vitin e kaluar, por hendeku i zhvillimit me tregjet e Bashkimit Europian ngelet ende i madh.

Për vitin 2025, tregu në gjashtë vendet e rajonit arriti një volum total të primeve të shkruara bruto prej rreth 3.13 miliardë eurosh. Tregu u rrit me 8.7% krahasuar me një vit më parë.

Fitimi i tregut para tatimit arriti vlerën e 271 milionë eurove, në rritje me 31.6% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, normat e fitimit ngelen modeste krahasuar me segmentet e tjera të tregut financiar.

Tregu rajonal duket se ka ende shumë potenciale të pashfrytëzuara.

Disa prej grupeve të mëdha europiane, si Generali apo Vienna Insurance Group mbeten aktorë të rëndësishëm në tregun e rajonit, por, ndërkohë, një tjetër aktor i rëndësishëm, Uniqa, vendosi të tërhiqej pjesërisht, duke shitur filialet në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

 

Burimi: Autoritetet mbikëqyrëse të vendeve përkatëse

 

Shqipëria ngelet tregu më i vogël në rajon

Treguesit realë dëshmojnë se Ballkani Perëndimor ka ende një hendek të madh të zhvillimit të tregut të sigurimeve në raport me nivelet e Bashkimit Europian.

Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se për rajonin, treguesi i penetrimit të sigurimeve, që mat primet e shkruara bruto në raport me prodhimin kombëtar në vendet e rajonit ishte në intervalin mes 1% dhe 2.15%, ndërsa vlerësohet se mesatarja e Bashkimit Europian është pranë nivelit të 6.5%.

Ndërkohë, krahasimi mes vendeve të rajonit tregon diferenca të konsiderueshme mes tregjeve të ndryshme.

Sipas shifrave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në vitin 2025, Shqipëria kishte madhësinë më të vogël të tregut të sigurimeve në raport me ekonominë, në nivelin e 1.03%. Diferenca e këtij indikatori është më shumë se 50% me tregun e dytë më të vogël, atë të Kosovës, ku penetrimi i sigurimeve është në nivelin e 1.57% të PBB-së.

Ndjek Maqedonia e Veriut, me 1.75% të PBB-së, Serbia, me 1.8% të PBB-së, Mali i Zi, me 1.87% të PBB-së dhe Bosnjë-Hercegovina, me 2.15% të PBB-së.

 

Burimi: Autoritetet mbikëqyrëse të vendeve përkatëse

 

Një tjetër tregues domethënës krahasues për të matur zhvillimin e tregut është ai i densitetit të sigurimeve, që jep raportin e primeve të shkruara bruto kundrejt numrit të përgjithshëm të popullsisë.

Edhe sipas këtij treguesi, Shqipëria është tregu më i vogël në rajon, me prime sigurimi për frymë në vlerën e 104 eurove për vitin 2025.

E dyta renditet Kosova, me 108 euro për frymë, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut, me 161 euro për frymë, Bosnjë-Hercegovina, me 174 euro për frymë, Mali i Zi, me 234 euro për frymë dhe Serbia, me 244 euro për frymë.

 

Burimi: Autoritetet mbikëqyrëse të vendeve përkatëse

 

Struktura e tregut, dominojnë sigurimet motorike

Shifrat tregojnë se tregu i sigurimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor është i dominuar nga sigurimet e Jo-Jetës dhe kryesisht nga sigurimet motorike, duke përfshirë sigurimin e detyrueshëm për përgjegjësitë ndaj palëve të treta dhe sigurimin Kasko.

Megjithatë, pesha e sigurimeve motorike ka diferenca të mëdha sipas tregjeve. Këto sigurime përbëjnë 40.6% të primeve të shkruara bruto në Serbi dhe 43.4% në Mal të Zi, ndërsa në Shqipëri arrijnë në 70% dhe në Bosnjë-Hercegovinë, në pothuajse 75%.

 

Burimi: Autoritetet mbikëqyrëse të vendeve përkatëse

 

Kryesimi i sigurimeve motorike është një tregues indirekt i zhvillimit ende të dobët të tregut. Në përgjithësi, sigurimet motorike janë të detyrueshme dhe perceptohen nga publiku më shumë si detyrim ligjor, sesa një shpenzim i nevojshëm për t’u mbrojtur nga rreziqet.

Ndërkohë, edhe pesha e tregut të sigurimit të Jetës ndaj totalit të tregut ka diferenca të konsiderueshme mes tregjeve të ndryshme.

Peshën më të ulët të tregut të jetës e ka Kosova, me 4.7%, e ndjekur nga Shqipëria, me 9%, Maqedonia e Veriut, me 16.5%, Serbia me 17.8%, Bosnjë-Hercegovina, me 18.6% dhe Mali i Zi, me 20.9%

 

Shqipëria ka raportin më të ulët dëme-prime

Shifrat e raportuara nga rregullatorët e tregut tregojnë se sektori i sigurimeve në vitin 2025 pagoi gjithsej rreth 1.43 miliardë euro dëme në terma bruto.

Në vlerë absolute, tregjet me vlerën më të madhe të dëmeve të paguara janë Serbia, me 776 milionë euro (54% të totalit të rajonit) dhe Bosnjë-Hercegovina, me 302 milionë euro (21% të totalit të rajonit).

Ndërkohë, një raport i thjeshtë mes dëmeve të paguara bruto dhe primeve të shkruara bruto, tregon se sektori i sigurimeve që paguan më shumë dëme në rajon është ai i Bosnjë-Hercegovinës, ku ky tregues është në masën 50.3%.

Ndjek Kosova, me 48.3%, Serbia, me 47.6%, Mali i Zi, me 44.2%, Maqedonia e Veriut, me 38.2%. Shqipëria renditet e fundit në rajon, me një raport të dëmeve bruto me primet e shkruara bruto në nivelin 31.7%.

 

Burimi: Autoritetet mbikëqyrëse të vendeve përkatëse

 

Normat e fitimit janë modeste, por Shqipëria ka nivelin më të lartë

Të dhënat e raportuara nga autoritetet mbikëqyrëse të tregut tregojnë se fitimi i përbashkët i tregut të sigurimeve, para tatimit, në të gjitha tregjet e rajonit kishte vlerën e 271.2 milionë eurove. Fitimi i tregut shënoi rritje të lartë, me 31.6% krahasuar me një vit më parë.

Në vlerë absolute, fitimin më të lartë e arriti tregu i Serbisë, me 129 milionë euro. Ndjekin Bosnjë-Hercegovina dhe Shqipëria, pranë nivelit të 45 milionë eurove, Maqedonia e Veriut me 22 milionë euro, Kosova, me 17 milionë euro dhe Mali i Zi, me 14 milionë euro.

 

Burimi: Autoritetet mbikëqyrëse të vendeve përkatëse

 

Megjithatë, aktiviteti sigurues nuk duket të ketë marzhe të mëdha fitimi, nëse e krahasojmë me segmentet e tjera të tregut financiar, duke filluar nga ai bankar.

Në pamundësi për të siguruar të dhënat e plota financiare të tregut të sigurimeve në rajon, për të krijuar një ide të normës së fitimit mund t’i referohemi raportit mes fitimit para taksave dhe primeve të shkruara bruto, që përbëjnë edhe zërin kryesor të të ardhurave në bilancin e kompanive të sigurimit.

Në terma mesatarë, ky tregues për tregjet e sigurimeve në rajon vitin e kaluar ishte në nivelin 8.67%, në përmirësim nga niveli prej 7.17% i një viti më parë.

Në rast se ky tregues do të llogaritej mbi të ardhurat e plota, marzhi i fitimit do të rezultonte edhe më i ulët.

Megjithatë, normat e fitimit kanë diferenca të konsiderueshme mes tregjeve të ndryshme.

Për vitin 2025, Shqipëria kishte normën më të lartë të fitimit para tatimit në raport me primet e shkruara bruto, në masën 16%. E dyta renditet Kosova, me 9.6%, e ndjekur nga Mali i Zi, me 9.4%, Serbia, me 7.9%, Bosnjë-Hercegovina, me 7.6% dhe Maqedonia e Veriut, me 7.4%.

 

Burimi: Autoritetet mbikëqyrëse të vendeve përkatëse

 

Shqipëria, tregu 280 milionë euro kryesohet nga Sigal

Tregu i sigurimeve në Shqipëri vitin e kaluar kishte vlerën e 280 milionë eurove, i matur sipas primeve të shkruara bruto. Tregu u rrit me 12.15% krahasuar me një vit më parë.

Historikisht, tregu i sigurimeve në Shqipëri është dominuar nga produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik. Në treg veprojnë 13 kompani sigurimesh, nga të cilat tetë të licencuara në klasat e sigurimit të Jo-Jetës dhe pesë në sigurimet e Jetës.

Vitin e kaluar, tregu u kryesua nga Sigal Insurance Group, me 64.6 milionë euro, ose 23.1% të primeve të shkruara bruto. Ndjek Sigma Vienna Insurance Group, me 48.4 milionë euro (17.4% të tregut) dhe Albsig, me 35 milionë euro (12.5% të tregut).

E para ndër kompanitë e sigurimit të jetës renditet Albsig Jetë, me prime të shkruara bruto në vlerën e 9.7 milionë eurove, ose 3.5% të volumit total të tregut të sigurimeve.

 

 

Fitimi i tregut para tatimit vitin e kaluar arriti vlerën e 44.7 milionë eurove, në rritje me 58.8% krahasuar me një vit më parë. 11 kompani sigurimesh e mbyllën vitin me fitim dhe dy prej tyre me humbje.

Kompanitë me fitimin më të lartë në treg ishin Sigal Insurance Group, me 15.2 milionë euro, e ndjekur nga Eurosig, me 9.6 milionë euro, dhe Albsig, me 4.7 milionë euro.

 

Kosova, tregu 179 milionë euro kryesohet nga Sigal

Tregu i sigurimeve në Kosovë vitin e kaluar kishte një volum total të primeve të shkruara bruto prej 179 milionë eurosh. Tregu u rrit me 6.6% krahasuar me një vit më parë.

Në treg veprojnë gjithsej 12 kompani sigurimesh, nga të cilat 10 janë të licencuara për klasat e sigurimit të Jo-Jetës dhe 2 në klasat e sigurimit të Jetës.

Për vitin 2025, tregu kryesohej nga kompania Sigal, pjesë e grupit shqiptar Sigal Insurance Group, me 23.7 milionë euro, ose 13.3% të primeve të shkruara bruto të tregut.

Ndjek Sava, pjesë e grupit slloven të sigurimeve, me 22.4 milionë euro (12.5%) të tregut dhe kompania me kapital vendas, Scardian, me 21.6 milionë euro (12.1% të tregut).

Nga dy kompanitë e sigurimit të Jetës, më e madhja është Sava Life, me 4.6 milionë euro, ose 2.6% të tregut.

 

 

Fitimi total i tregut të sigurimeve para tatimit vitin e kaluar kishte vlerën e 17.2 milionë eurove, në të njëjtin nivel me vitin 2024. Të gjitha kompanitë aktive në treg e mbyllën vitin me fitim.

Edhe renditja e fitimeve të tregut kryesohet nga Sigal Insurance Group, me 3.5 milionë euro, e ndjekur nga Scardian, me 3.1 milionë euro, dhe kompania tjetër me kapital vendas, Prisig, me 3 milionë euro.

 

Serbia, tregu 1.6 miliardë euro kryesohet nga Dunav

Serbia ka me diferencë tregun më të madh të sigurimeve në rajon, me një volum të primeve të shkruara bruto prej 1.63 miliardë eurosh, në rritje me 7.7% krahasuar me një vit më parë.

Në tregun serb veprojnë 16 kompani sigurimesh. Në Serbi dhe në Bosnjë nuk ka një ndarje të detyrueshme në licencim mes kompanive të sigurimit të Jetës dhe atyre të Jo-Jetës.

Megjithatë, në Serbi janë gjithsej 10 kompani të licencuara për sigurime të Jetës; ndër to vetëm 3 kompani sigurimi veprojnë ekskluzivisht në këtë treg.

Tregu serb i sigurimeve kryesohej nga kompania me kapital vendas, Dunav, me 426 milionë euro, ose 26.1% e primeve totale të tregut. Dunav kontrollohet nga Qeveria e Serbisë, që zotëron afërsisht 77% të aksioneve.

Kompania e dytë më e madhe është Generali, pjesë e grupit italian të sigurimeve, me 302 milionë euro (18.5% të tregut), e ndjekur nga DDOR, pjesë e grupit italian të sigurimeve Unipol, me 171 milionë euro, ose 10.5% të tregut.

 

 

Fitimi total i tregut të sigurimeve në Serbi vitin e kaluar arriti vlerën e rreth 129 milionë eurove, në rritje me 40.5% krahasuar me një vit më parë. 13 kompani sigurimesh e mbyllën vitin me fitim, ndërsa tre të tjera me humbje.

Kompanitë me fitimin më të lartë ishin Generali, me 40.4 milionë euro, e ndjekur nga Dunav, me 34.3 milionë euro dhe DDOR me 17.6 milionë euro.

 

Mali i Zi, tregu 148 milionë euro kryesohet nga Lovćen Triglav

Tregu i sigurimeve në Malin e Zi për vitin 2025 kishte një volum të primeve të shkruara bruto prej 148 milionë eurosh, në rritje me 10.5% krahasuar me një vit më parë.

Në treg veprojnë 9 kompani sigurimi, nga të cilat 5 në sigurimet e Jo-Jetës dhe 4 në sigurimet e Jetës.

Kompania më e madhe për nga vlera e primeve të shkruara bruto vitin e kaluar ishte Lovćen, pjesë e grupit slloven Triglav, me 41 milionë euro ose 27.8% të tregut.

Vijon kompania tjetër me kapital slloven, Sava, me 26.1 milionë euro (17.6% të tregut), e ndjekur nga kompania e grupit austriak Uniqa, me 23.7 milionë euro (16% të tregut).

Ndër kompanitë e sigurimit të jetës, e para është Wiener Life Vienna Insurance Group, me 14.3 milionë euro (9.6% të tregut).

 

 

Fitimi i tregut të sigurimeve para tatimit në Malin e Zi vitin e kaluar arriti vlerën 13.9 milionë euro, në rënie me 4% krahasuar me një vit më parë. Tetë kompani sigurimesh e mbyllën vitin me fitim dhe njëra prej tyre, me humbje.

Fitimet kryesohen gjithashtu nga Lovćen, me 4.2 milionë euro, e ndjekur nga Sava, me 3.3 milionë euro dhe Grawe Life dhe Generali, me 1.7 milionë euro.

 

Maqedonia e Veriut, tregu 289 milionë euro kryesohet nga Makedonija VIG

Tregu i sigurimeve në Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar kishte një vlerë të primeve të shkruara bruto prej 289 milionë eurosh, në rritje me 12.3% krahasuar me vitin 2024.

Në treg veprojnë 17 kompani sigurimesh, nga të cilat 11 veprojnë në sigurimet e Jo-Jetës dhe gjashtë në sigurimet e jetës.

Për vitin e kaluar, tregu sipas primeve të shkruara bruto kryesohej nga Makedonija Vienna Insurance Group, me 36.8 milionë euro, ose 12.7% të tregut. Vijon kompania maqedonase e grupit slloven Triglav, me 34.5 milionë euro (11.9% të tregut) dhe filiali maqedonas i Sigal Insurance Group, me 30.1 milionë euro, ose 10.4% të tregut.

Megjithatë, në nivel grupi, tregu kryesohet nga austriakët e Grawe, që me tre kompanitë e saj (Grawe, Grawe Life dhe Eurolink) raportoi prime totale në vlerën e 48.4 milionë eurove (16.7% të tregut).

Ndër kompanitë e sigurimit të jetës, e para renditet kompania me kapital kroat Croatia Life, me prime në vlerën e 15.1 milionë eurove, ose 5.2% të tregut.

 

 

Fitimi para tatimeve i tregut të sigurimeve në Maqedoni të Veriut për vitin 2025 arriti vlerën e 21.5 milionë eurove, në rritje me 56.3% krahasuar me një vit më parë. 15 kompani e mbyllën vitin me fitim, ndërsa 2 prej tyre me humbje.

Kompanitë me fitimin më të lartë për vitin 2025 ishin Eurolink, pjesë e grupit austriak Grawe, me 2.75 milionë euro, e ndjekur nga kompania me kapital bullgar Euroins, me 2.7 milionë euro dhe Sigal IG, me 2.6 milionë euro.

 

Federata e Bosnjës, tregu 424 milionë euro kryesohet nga ASA Central

Federata e Bosnjë-Hercegovinës vitin e kaluar kishte tregun e dytë më të madh të sigurimeve në rajon, për një vlerë totale të primeve të shkruara bruto prej 424 milionë eurosh.

Tregu i sigurimeve u rrit me 10.5% krahasuar me një vit më parë. Edhe Bosnjë-Hercegovina nuk i ndan detyrimisht në licencim kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës nga ato të Jetës.

Në treg veprojnë gjithsej 10 kompani sigurimesh, nga të cilat Vienna VIG është kompani me aktivitet ekskluziv në sigurimet e jetës.

Për vitin 2025, kompania më e madhe e sigurimeve në Bosnjë-Hercegovinë ishte kompania me kapital vendas ASA Central, me prime të shkruara bruto në vlerën e 75.3 milionë eurove, ose 17.8%.

Ndjekin dy kompanitë me kapital kroat (pjesë e grupit Euroherc/Agram), Adriatic, me 62.7 milionë euro (14.8% të tregut) dhe Euroherc, me 51.2 milionë euro (12.1% të tregut).

 

 

Fitimi i tregut të sigurimeve në Bosnjë-Hercegovinë për vitin 2025 kishte vlerën totale të 23.9 milionë eurove, në rritje me 10.2% krahasuar me një vit më parë. Të gjitha kompanitë e mbyllën vitin me fitim.

Kompania me fitimin më të lartë ishte Euroherc, me 5 milionë euro, e ndjekur nga ASA Central me 4.3 milionë euro dhe Adriatic, me 4.1 milionë euro.

 

Republika Srpska, tregu 174 milionë euro kryesohet nga Wiener VIG

Tregu i sigurimeve në tregun e Republika Srpska të Bosnjë-Hercegovinës kishte vlerën e 174 milionë eurove. Krahasuar me një vit më parë, tregu u rrit me 4.1%. Në treg vepronin 13 kompani sigurimesh të licencuara.

Tregu vitin e kaluar u kryesua nga kompania Wiener Vienna Insurance Group, me prime sigurimi në vlerën e 27.8 milionë eurove, ose 16% të tregut. Ndjek kompania tjetër me kapital austriak, Grawe, me 21.8 milionë euro (12.5% e tregut) dhe kompania me kapital vendas Premium, me 12.7 milionë euro (10.7% e tregut).

 

 

Fitimi para tatimit i tregut të sigurimeve në Republika Srpska vitin e kaluar arriti në 21.5 milionë euro, 11% më shumë krahasuar me një vit më parë. Edhe në Republika Srpska, të gjitha kompanitë e mbyllën vitin me fitim.

Kompania me fitimin më të lartë në treg ishte Neškovic, kompani me kapital vendas, në vlerën e 5.7 milionë eurove. Ndjekin dy kompanitë e tjera me kapital vendas, Garant, me 4.2 milionë euro dhe Drina, me një fitim prej 3.2 milionë eurosh.

 

 

10 grupet më të mëdha të sigurimit në rajon

Edhe tregu i sigurimeve ka një shkallë të konsiderueshme të përqendrimit te grupet e mëdha rajonale. Afërsisht 73% e primeve të shkruara bruto të sigurimit u takojnë 10 grupeve më të mëdha të sigurimit në rajon.

Grupi më i madh sipas këtij treguesi është grupi shtetëror serb i sigurimeve Dunav. Ky kryesim i detyrohet pozicionimit të fortë që ky grup ka në tregun më të madh, atë të Serbisë.

Për vitin 2025, Dunav raportoi prime të shkruara bruto në vlerën e 445 milionë eurove, në pjesën dërrmuese nga tregu serb, ku është edhe aktori më i madh.

Dunav është i pranishëm edhe në tregun e Republika Srpska në Bosnjë, ku pozicionohet në vendin e katërt.

Në vendin e dytë renditet Vienna Insurance Group, me prime të shkruara bruto në vlerën e 353 milionë eurove. VIG është e pranishme në të gjitha vendet e rajonit, me pozicion veçanërisht të fortë në Maqedoninë e Veriut dhe në Republikën Serbe të Bosnjës, ku renditet e para dhe në Shqipëri, ku renditet e dyta, me dy kompanitë e saj Sigma dhe Intersig.

Grupi italian Generali është i treti për nga vlera e primeve të shkruara bruto, me 317 milionë euro. Edhe për Generali, pjesa dërrmuese e kësaj shume gjenerohet në tregun serb, ku është kompania e dytë më e madhe në treg, ndërkohë që është e pranishme edhe në Malin e Zi, ku renditet e katërta.

I katërti renditet grupi slloven Triglav, me prime sigurimi bruto në vlerën e 262 milionë eurove. Edhe Triglav ka një prani të zgjeruar në rajon. Triglav është e para në Malin e Zi, e dyta në Maqedoninë e Veriut dhe e pesta në Serbi dhe në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës.

I pesti renditet grupi tjetër austriak, Grawe, me prime të shkruara bruto për më shumë se 187 milionë euro. Grawe është grupi më i madh në Maqedoninë e Veriut, ndërsa është i pranishëm edhe në Serbi, Mal të Zi Federatën e Bosnjë-Hercegovinës dhe në Republika Srpska.

I gjashti është grupi italian i sigurimeve Unipol. Unipol në fakt është i pranishëm vetëm në tregun serb, nëpërmjet kompanisë së kontrolluar DDOR Novi Sad, me një xhiro totale prej 171 milionë eurosh.

Grupi i dytë slloven Sava renditet i shtati, me prime në vlerën e 137 milionë eurove. Sava është veçanërisht e pozicionuar mirë në Kosovë dhe në Malin e Zi, ku renditet e dyta me dy kompanitë e saj Sava dhe Sava Life ndërsa është e pranishme edhe në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut.

Grupi shqiptar i sigurimeve Sigal Insurance Group renditet i teti, me prime të shkruara bruto në vlerën e 136 milionë eurove. Sigal kryeson tregun në Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut renditet në vendin e pestë.

Në vendin e pestë renditet grupi austriak Uniqa, që pas shitjes së Sigal IG ka humbur një pjesë të peshës së saj në tregun rajonal. Megjithatë, Uniqa vazhdon të jetë e pranishme në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë, me një total të primeve të shkruara bruto prej 134 milionë eurosh.

Renditja e 10 grupeve më të mëdha në rajon mbyllet nga grupi kroat Croatia, me prime të shkruara bruto në vlerën e 123.3 milionë eurove. Grupi në fjalë është i pranishëm në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Federatën e Bosnjë-Hercegovinës.

Renditja e 10 grupeve më të mëdha sipas fitimit para tatimit kryesohet nga Generali, me 42.1 milionë euro, i ndjekur nga Dunav, me 33.4 milionë euro dhe Sigal IG, me 25.7 milionë euro.

Norma e fitimit nga primet e shkruara bruto për 10 grupet më të mëdha ishte 8.1%, nivel ky pak më i ulët se mesatarja rajonale prej 8.7% për vitin 2025.

Normën më të lartë të fitimit e kishte Sigal Insurance Group, me 18.9%, i ndjekur nga Generali, me 13.3%, Unipol, me 10.3%, Grawe, me 9.3%, Dunav, me 7.5%, Croatia, me 7.4%, Sava, me 7.3%, Triglav, me 6.1% dhe VIG, me 3.5%. Grupi Uniqa në rajon e mbylli vitin me një kthim negativ, në masën -0.2%.

 

 

Kliko këtu për t’u regjistruar falas për të lexuar specialen e plotë për renditjen e kompanive më të mëdha në Ballkan për vitin 2025:

 

Monitor Special Edition | Ranking the Largest Companies in the Western Balkans in 2025

 

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

TVSH-ja, thika me dy presa për bujqësinë

Ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte të shportës ushqimore synon të lehtësojë çmimet për konsumatorët, por fermerët vendas druhen se mund t...

10 minutes më parë 19 Min Lexim

Buxheti social i Kosovës

Projektbuxheti  i vitit 2027 parasheh rritje të pagave, shtesave për fëmijë dhe pensioneve, ndërsa Qeveria planifikon investime kapitale mbi 1 mili...

13 minutes më parë 13 Min Lexim
Bota /

Përballë borxhit

14 minutes më parë 19 Min Lexim
Ads
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!