Një aksident detar ndodhi mesditën e së premtes në portin e New Orleans, kur tanker-i Atlantic Asphalt përplasi anijen turistike të ankoruar American Heritage në lumin Misisipi. Përplasja u raportua rreth orës 12:30 me orën lokale. Në bordin e anijes turistike ndodheshin më shumë se 130 persona, përfshirë pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit.
Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë dhe nisën operacionet e shpëtimit; disa persona janë nxjerrë nga uji ndërsa kërkimet dhe ndërhyrjet për të shpëtuar të tjerët vazhdojnë. Pamjet e dëshmitarëve tregojnë momentin kur tankeri i afrohet anijes dhe më pas përplasja, dhe shfaqin persona në ujë me jelekë shpëtimi ndërsa ekipet e emergjencës ndërhyjnë.
Kompania American Cruise Lines konfirmoi se pasagjerët dhe ekuipazhi u evakuuan dhe bëri të ditur se po bashkëpunon me Rojën Bregdetare amerikane dhe autoritetet lokale. Raportimet e para tregojnë se anija turistike pësoi dëmtime të konsiderueshme dhe nisi të marrë ujë pas përplasjes. Në komunikimet radio të emergjencave u raportuan persona në ujë dhe nevoja për ndërhyrje të menjëhershme.
Deri më tani nuk ka një bilanc zyrtar të numrit të të plagosurve apo për gjendjen e tyre shëndetësore. Shkaku i aksidentit mbetet i paqartë dhe aktualisht është nën hetim. Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit në SHBA (NTSB) konfirmoi se është në dijeni të incidentit. Guvernatori i Luizianës, Jeff Landry, njoftoi se është në kontakt me autoritetet lokale dhe do të udhëtojë drejt New Orleans.
Operacionet e kërkim–shpëtimit vazhdojnë ndërsa autoritetet punojnë për të sqaruar rrethanat e përplasjes. Kompania American Cruise Lines u shpreh se është thellësisht e shqetësuar për të gjithë personat e përfshirë në ngjarje.
