Kombëtarja U21 e Shqipërisë ka shënuar fitore të bukur në miqësoren ndaj Luksemburgut U21, duke triumfuar me rezultat 3:1 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Takimi nisi më mirë për mysafirët, të cilët kaluan në epërsi në minutën e 13-të.
Megjithatë, reagimi i kuqezinjve ishte i shpejtë. Kapiteni Ermir Rashica barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 23-të.
Në minutën e 35-të, Etnik Brruti realizoi një supergol, duke përmbysur rezultatin dhe duke kaluar Shqipërinë në epërsi 2:1.
Fitoren e kuqezinjve e vulosi Kevin Dodaj, i cili realizoi golin e tretë në minutën e 88-të.
Kjo fitore është një sinjal pozitiv për Shqipërinë U21, e cila do të zhvillojë edhe një tjetër miqësore të rëndësishme.
Më 17 nëntor, kuqezinjtë do të përballen me Spanjën U21, sërish në Tiranë.