Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance po shqyrton nëse duhet të hyjë në garën për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2028 apo të presë një moment më të favorshëm politik. Sipas CNN, humbjet e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit, përçarjet brenda lëvizjes MAGA dhe lufta me Iranin kanë shtuar pasigurinë për të ardhmen e tij politike.
Vance nuk ka marrë ende një vendim dhe nuk ka përcaktuar një afat se kur do të bëjë të ditur planet e tij. Deri më tani, ai konsiderohej një prej emrave më të mundshëm për të siguruar nominimin republikan në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Duke iu referuar këshilltarëve dhe personave të afërt me zëvendëspresidentin, CNN raporton se Vance po përpiqet të peshojë ambiciet për Shtëpinë e Bardhë përballë sfidave brenda koalicionit politik që mbështeti rikthimin e Donald Trump në pushtet në vitin 2024. Në këtë vendimmarrje ndikojnë edhe përgjegjësitë familjare, veçanërisht pas lindjes së fëmijës së tij të katërt gjatë verës.
Një person i afërt me të i tha CNN-it se nuk do të habitej nga asnjë vendim që mund të merrte.
“Është vetëm 42 vjeç. Është mjaft i ri për t’u rikthyer, nëse kjo situatë e bën të pamundur suksesin. Ndoshta thjesht nuk është momenti i tij”, u shpreh burimi.
Lufta me Iranin, një faktor në llogaritjet e Vance
Një nga çështjet që mund të ndikojë më shumë në perspektivën presidenciale të Vance është lufta me Iranin. Sipas CNN, aleatët e tij e shohin konfliktin si një pengesë serioze për republikanët, pasi ecuria e tij mund të ndikojë drejtpërdrejt në vlerësimin që votuesit kanë për administratën Trump.
Ata besojnë se shanset e republikanëve në vitin 2028 do të varen në një masë të madhe nga aftësia e presidentit për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt, pa dëmtuar më tej besimin e publikut.
“Pyetja nuk është nëse JD mund t’ia dalë. Nëse lufta me Iranin vazhdon, a mund t’ia dalë ndonjë republikan?”, tha një aleat i Vance për CNN.
Një ditë pas zgjedhjeve të mesmandatit, më 3 nëntor, zëvendëspresidenti publikoi një mesazh të gjatë në rrjetin social X, ku fajësoi luftën me Iranin për humbjet e republikanëve. Disa prej mbështetësve të tij e interpretuan këtë reagim si një sinjal për qëndrimet që mund të mbajë në një fushatë të ardhshme presidenciale.
Megjithatë, sipas dy personave të njohur me diskutimet brenda Shtëpisë së Bardhë, mesazhi shkaktoi pakënaqësi te Trump. Presidenti ishte i zemëruar që Vance nuk kishte mbështetur publikisht vendimin për ndërhyrjen në Iran dhe nuk kishte mbrojtur arsyetimin e tij.
Nga ana tjetër, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha CNN-it se administrata ishte informuar paraprakisht për publikimin dhe se Trump nuk kishte shprehur kundërshtime.
Sipas raportimit, Trump i ka kërkuar gjithashtu Vance të tërhiqet nga drejtimi i negociatave me Iranin dhe të përqendrohet te lufta kundër korrupsionit dhe krimit.
Trump ende pa mbështetje të qartë për Vance
Një tjetër element që e bën të pasigurt garën është qëndrimi i vetë Trumpit. Presidenti nuk ka deklaruar nëse do ta mbështesë Vance në rast se ky i fundit vendos të kandidojë.
Sipas burimeve të CNN, Trump u ka thënë privatisht bashkëpunëtorëve se dëshiron të presë për të parë se si do të pozicionohen kandidatët përpara se të japë mbështetjen e tij në zgjedhjet paraprake republikane.
Ndërkohë, në skenën politike republikane kanë nisur të përmenden edhe emra të tjerë për garën e vitit 2028. Mes tyre janë guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, senatori Ted Cruz dhe guvernatori i Xhorxhias, Brian Kemp.
Megjithatë, aleatët e Vance nuk e konsiderojnë konkurrencën një shqetësim të madh. Ata besojnë se, nëse ai vendos të hyjë në garë, mund të sigurojë mbështetje të konsiderueshme brenda Partisë Republikane.
Përpjekjet për të rikthyer mbështetjen e koalicionit MAGA
Për momentin, Vance po përqendrohet te rindërtimi i koalicionit MAGA, i cili pësoi një goditje në zgjedhjet e mesmandatit. Sipas CNN, republikanët humbën terren te disa kategori votuesish që kishin kontribuar në fitoren e Trumpit në vitin 2024, përfshirë të rinjtë, burrat, votuesit latino-amerikanë dhe amerikanët e bardhë pa diplomë universitare.
Aleatët e zëvendëspresidentit mendojnë se dy vitet e mbetura deri në zgjedhjet presidenciale mund të mjaftojnë për të ndryshuar klimën politike dhe për të rikthyer mbështetjen për republikanët.
Megjithatë, rezultatet e disa garave të fundit kanë nxjerrë në pah vështirësitë e kësaj përpjekjeje. Organizata “Turning Point USA”, e cila ka mbështetur Vance, nuk arriti rezultatet e pritshme në disa gara në Arizona, Nju-Hampshire dhe Nevada. Edhe në Ohajo, kandidatët e mbështetur nga persona pranë zëvendëspresidentit nuk arritën të fitonin garën për guvernator.
Donatorët dhe struktura e një fushate të mundshme
Në llogaritjet për vitin 2028 përfshihet edhe krijimi i një strukture financiare dhe organizative për një fushatë presidenciale. Aleatët e Vance besojnë se ai mund të sigurojë mbështetje të konsiderueshme financiare, duke përmendur lidhjet e tij me miliarderin Elon Musk dhe bashkëthemeluesin e PayPal, Peter Thiel.
Vance ka pasur gjithashtu rol në financat e Komitetit Kombëtar Republikan, çka i ka krijuar mundësi të ndërtojë marrëdhënie me donatorë të rëndësishëm të partisë.
Ndërkohë, grupi i donatorëve të afërt me të, “Rockbridge Network”, u mblodh këtë javë në Hjuston për të diskutuar zhvillimet politike dhe perspektivën e lëvizjes, ndërsa pritet që zëvendëspresidenti të qartësojë planet e tij.
Studiuesi Rich Baris, i lidhur me lëvizjen MAGA, vlerësoi se sfida kryesore e Vance është rikthimi i besimit të votuesve që janë larguar nga republikanët dhe rindërtimi i koalicionit që çoi Trumpin drejt fitores në vitin 2024.
Për momentin, kandidimi i JD Vance në vitin 2028 mbetet një mundësi e hapur, por jo një vendim i marrë. Zëvendëspresidenti duhet të vlerësojë nëse kushtet politike i japin mundësinë të bëhet kandidati kryesor i republikanëve apo nëse është më e arsyeshme të presë një garë tjetër.

