“Djemtë të lëndojnë…”, Valbona Selimllari rrëfen sfidat e mëmësisë: Nuk ka asgjë që ata nuk dinë për mua Instituti për Bashkitë e Shqipërisë ka paraqitur një sërë komentesh dhe rekomandimesh për projektbuxhetin e pushtetit vendor për vitin 2027, duke ngritur shqetësimin se financimi i parashikuar nuk reflekton ende kostot dhe sfidat që sjell reforma territoriale, e cila parashikon kalimin nga 61 në 46 bashki.
Në dokumentin drejtuar Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat në Kuvend, Instituti vlerëson rritjen e financimit për pushtetin vendor dhe garantimin e vijimësisë së shërbimeve bazë, por thekson se buxheti i vitit 2027 nuk mund të trajtohet si një buxhet i zakonshëm.
Sipas Institutit, krahas financimit të 61 bashkive për aq kohë sa ato vijojnë të ushtrojnë funksionet e tyre ligjore, qeveria duhet të parashikojë edhe kostot e tranzicionit drejt strukturës së re me 46 bashki, kursimet që pritet të sjellë reforma dhe mënyrën se si do të përmirësohen shërbimet për qytetarët.
Në analizën e tij, Instituti evidenton se transferta e pakushtëzuar totale për pushtetin vendor parashikohet të arrijë në 49.4 miliardë lekë në vitin 2027, nga 47.3 miliardë lekë që ishte parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2026, me një rritje prej rreth 2.4%.
Megjithatë, sipas dokumentit, kjo rritje nominale nuk përkthehet automatikisht në më shumë autonomi financiare, investime apo përmirësim të shërbimeve. Instituti kërkon që të bëhet një ndarje e qartë mes rritjes që vjen nga detyrimet ligjore, efektit të pagave dhe financimit të ri për autonominë vendore.
Një tjetër shqetësim lidhet me formulën e shpërndarjes së fondeve, e cila vijon të jetë e ndërtuar mbi 61 bashkitë ekzistuese. Instituti kërkon publikimin e një simulimi të ri për 46 bashkitë e ardhshme, për të identifikuar përfituesit dhe bashkitë që mund të humbasin financime pas riorganizimit.
Mungesa e një bilanci financiar të reformës është një tjetër problematikë e evidentuar. Sipas Institutit, dokumentet e projektbuxhetit nuk japin një panoramë të plotë mbi kostot e konsolidimit, detyrimet që do të trashëgohen, shpenzimet për riorganizimin administrativ dhe kursimet reale që mund të krijohen.
Për këtë arsye, rekomandohet hartimi i një Plani Financiar të Tranzicionit për periudhën 2027-2029, ku të përfshihen inventari i aseteve, kontratat, detyrimet, personeli, projektet në vazhdim dhe burimet e financimit për kostot e njëhershme të reformës.
Instituti ndalet gjithashtu te administrata vendore, duke kërkuar që bashkimi i bashkive të mos shihet thjesht si një proces riorganizimi strukturash, por të shoqërohet me rritje të produktivitetit, forcim të kapaciteteve profesionale dhe përmirësim të shpejtësisë së shërbimeve për qytetarët.
Në rekomandimet drejtuar Kuvendit dhe Ministrisë së Financave përfshihen edhe rritja e financimit për zonat rurale dhe malore, vendosja e standardeve konkrete për shërbimet sektoriale, si dhe rishikimi i grantit të performancës prej 200 milionë lekësh, në mënyrë që kriteret e shpërndarjes të përshtaten me hartën e re territoriale.
Në përfundim, Instituti kërkon që Ministria e Financave dhe institucionet përgjegjëse të raportojnë gjatë vitit 2027 mbi shpenzimet e tranzicionit, kursimet e realizuara, ndryshimet në personel, investimet sipas territoreve dhe cilësinë e shërbimeve publike.
Sipas Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, suksesi i reformës territoriale nuk duhet të matet vetëm nga reduktimi i numrit të bashkive, por nga ndikimi konkret që ajo do të ketë në cilësinë, aksesin dhe koston e shërbimeve për qytetarët.
Top Channel