Përplasje mes Musliut dhe Rizvanollit në Kuvend për çmimin dhe furnizimin me energji elektrike

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kritikuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë seancës së Kuvendit, duke e akuzuar për arrogancë dhe mungesë të llogaridhënies ndaj deputetëve.

Musliu ka thënë se në vend që ministrja të përgjigjet për problemet aktuale në sektorin e energjisë, ajo po u referohet ngjarjeve të para shtatë vjetëve.

Ajo ka rikujtuar se mbikëqyrja e Qeverisë dhe kërkimi i llogaridhënies janë ndër detyrat kryesore të deputetëve.

“Arroganca nuk duhet asnjëherë, asnjëherë ta zëvendësojë llogaridhënien. Asnjëherë arroganca nuk duhet ta justifikojë paaftësinë menaxheriale dhe asnjëherë arroganca nuk duhet ta justifikojë llogaridhënien ndaj këtij Kuvendi. Deputetët e këtij Kuvendi e kanë detyrë, domethënë përshkrimi i detyrave të deputetëve është kërkimi i llogaridhënies ose mbikëqyrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Musliu.

Më tej, deputetja e PDK-së i është drejtuar drejtpërdrejt ministres Rizvanolli, duke thënë se nuk ka kërkuar sqarime se prej cilave kompani blihet energjia elektrike, por përgjigje konkrete nëse qytetarët do të kenë furnizim të rregullt dhe nëse ekziston mundësia e uljes së çmimit të rrymës.

“E nderuara ministre, vjedhni sa të mundeni. Unë s’kam dalë me ju thënë mos vjedhni këtu. Unë s’kam dalë sot këtu me gjykue prej kujt na blen ti rrymë, prej kujt duhesh me ble rrymë. Ajo çka unë të thashë ty sot, e çka kërkoj prej teje përgjigje sot është a kanë me pas qytetarët rrymë dhe a ka mundësi me u lirua pak rryma se s’mundet me u paguar? Kjo është pyetja konkrete që ti duhesh me u përgjigj sot e që qytetarët presin përgjigje”, ka thënë Musliu.

Në përgjigjen e saj, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se energjinë elektrike nuk e blen as ajo dhe as Qeveria, por kompanitë KESCO dhe KEDS, të cilat, sipas saj, janë privatizuar nga qeverisjet e kaluara.

“Unë nuk blej rrymë, as Qeveria. Blen KESCO dhe KEDS, të cilën ju e keni privatizuar. E di që nuk po doni me e dëgjue dhe e di që nuk po doni me u kthye mbrapa, mirëpo meqë po doni me fol edhe për rregullsinë e furnizimit, edhe për cilësinë e rrjetit, edhe për kush blen rrymë, po ju tregoj kush blen rrymë edhe pse blen ata rrymë sot e ju KEK-u, me ç’rast kishit mund me më pyet në mënyrë indirekte”, ka deklaruar Rizvanolli.

Sa i përket mundësisë së reduktimeve, ministrja ka thënë se nuk ka informacione për reduktime të paralajmëruara, ndërsa ka udhëzuar qytetarët që ankesat t’i drejtojnë te Zyra e Rregullatorit për Energji.

“Sido që të jetë, në qoftë se keni ankesa, duhet t’i drejtoheni ZRRE-së, Zyrës për Ankesa për Konsumator, ndërsa Zyrën e Rregullatorit për Energji e mbikëqyrni ju si Kuvend, meqë po doni me më përkujtuar se ju jeni deputetë të Republikës së Kosovës. Për çfarë, unë kam respektin ndaj secilit prej jush për pozitën që e keni”, ka thënë ajo.

Duke folur për muajt në vijim, Rizvanolli ka paralajmëruar se ata nuk pritet të jenë të lehtë, por ka thënë se institucionet do të bëjnë maksimumin për të siguruar furnizim të rregullt me energji elektrike.

“Sa i përket muajve në vijim, siç edhe e thashë, nuk dua të them se do të jenë të lehtë. Çfarë mund të them është që ne do të bëjmë maksimumin edhe për sigurinë e furnizimit, edhe për çdo aspekt tjetër, siç e kemi bërë deri më tani dhe siç jemi përballur me çdo krizë deri më tani”, ka përfunduar ministrja.

Shija e redaktorit

Presidenti kroat pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të muajit dhjetor të këtij viti. Kështu ka mësuar Dukagjini nga burimet e veta...

Nufi: Shqipëria do ta mbrojë Kosovën, asnjë qeveri në Tiranë...

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka deklaruar se angazhimi i Shqipërisë për mbrojtjen e Kosovës është i pakushtëzuar, duke theksuar se asnjë...

Përkujtohet ditëlindja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti

Sot shënohet 64-vjetori i lindjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti. Ai u lind më 1 nëntor 1962...

Të fundit nga rubrika