Policia Metropolitane e Londrës ka nisur një hetim ndaj aktorit dhe autorit të librave për fëmijë, David Ualliams, pas raportimeve për akuza që lidhen me vepra të rënda seksuale të dyshuara.
Lajmi vjen pasi ITV dhe gazeta “The Guardian” publikuan dëshmi të disa grave, të cilat pretendojnë se kanë qenë objekt i sjelljeve të papërshtatshme seksuale nga Ualliams. Policia bëri të ditur se hetimi aktual lidhet me pretendime të tjera, të ndara nga ato të publikuara në media, por hetuesit po shqyrtojnë edhe raportimet për të përcaktuar nëse ka prova për vepra penale.
Në një deklaratë të publikuar të premten, policia tha se ka marrë disa denoncime për vepra të rënda seksuale të ndodhura vite më parë, ku përfshihet një burrë tashmë në të 50-at. Autoritetet shtuan se gratë që kanë vendosur të flasin po mbështeten nga oficerë të specializuar.
Ndërkohë, disa prej grave të përmendura në raportimet mediatike e kanë akuzuar Ualliams për sjellje që ato i cilësojnë si përpjekje për t’i joshur kur ishin ende adoleshente. Njëra prej tyre ka deklaruar se një takim i pretenduar me të, kur ishte 15 vjeçe, përbënte sulm seksual.
Ualliams i ka mohuar kategorikisht akuzat për kontakt seksual me vajzën dhe ka deklaruar se nuk ka kryer asnjë vepër penale dhe nuk është përfshirë kurrë në joshjen apo manipulimin e vajzave të reja.
Në një letër drejtuar gazetarëve që investiguan çështjen, ai pranoi se në disa raste mund të jetë sjellë pa menduar ndaj personave me të cilët kishte marrëdhënie intime, duke thënë se nuk ka marrë gjithmonë parasysh ndjenjat e tyre. Megjithatë, ai mohoi se ka abuzuar me pushtetin që i jepte fama dhe u shpreh se është i tronditur nga fakti që disa gra kanë shprehur zemërim apo lëndim për përvojat e tyre të viteve më parë.
Sipas raportimeve të “The Guardian” dhe ITV, disa gra që nuk njihen me njëra-tjetrën kanë pretenduar se janë përballur me afrime të padëshiruara seksuale nga aktori. Në investigim përmenden gjithashtu pretendime për një marrëdhënie me një punonjëse të re të shtëpisë botuese HarperCollins, si dhe sjellje të papërshtatshme ndaj vajzave dhe grave të reja gjatë periudhës kur ai ishte anëtar jurie në spektaklin “Britain’s Got Talent”.
Ualliams u bë i njohur në fillim të viteve 2000 përmes serialit humoristik “Little Britain”, ndërsa më vonë ndërtoi një karrierë të suksesshme si autor i librave për fëmijë.









